Qarku i Elbasanit është përfshirë gjatë orëve të fundit nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, të shoqëruara me reshje shiu me intensitet mesatar e të dendur, dhe breshër.
Në zonat malore, në lartësi mbi 700 metra mbi nivelin e detit, kanë nisur reshjet e dëborës, duke krijuar nevojë për monitorim të vazhdueshëm të situatës rrugore.
Akset rrugore nacionale në të gjithë qarkun raportohen të hapura për qarkullimin e mjeteve. Në aksin nacional Elbasan–Qafë Thanë, konkretisht në zonën e Qafë Thanës, reshjet e dëborës kanë kërkuar menaxhim të trafikut nga shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po sigurojnë lëvizjen e automjeteve pa probleme madhore.
Në aksin rrugor Gramsh–Moglicë është konstatuar prezencë gurësh në disa segmente, si pasojë e reshjeve, por situata është normalizuar pas ndërhyrjes së menjëhershme të firmës kontraktuese, e cila ka kryer pastrimin e rrugës.
Sa i përket situatës hidrike, prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës nuk paraqesin problematika deri në këto momente. Ndërkohë, nga HEC Moglicë vijojnë shkarkimet në nivelin 390 m³/sekondë, paralelisht me prodhimin e energjisë elektrike.
Këto prurje nuk kanë shkaktuar probleme në Bashkinë Cërrik, përjashtuar daljen e lumit Devoll në disa pika, duke sjellë përmbytjen e disa sipërfaqeve toke bujqësore.
Në Bashkinë Belsh, konkretisht në fshatin Shelg të Njësisë Administrative Grekan, situata mbetet e pandryshuar. Si pasojë e prurjeve të mëdha të lumit Devoll, vijojnë përmbytjet e tokave djerrë dhe atyre bujqësore, pa raportime për rrezik për banesat.
Furnizimi me energji elektrike në qark paraqitet përgjithësisht i qëndrueshëm dhe pa probleme serioze. Megjithatë, ndërprerje të energjisë janë raportuar në Njësitë Administrative Klos dhe Mollas, si pasojë e rënies së disa shtyllave elektrike të dëmtuara nga prurjet e lumit Devoll.
Strukturat përkatëse janë në ndjekje të situatës për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal.


