24 Tetor 2018 / 12:39
Bisedat telefonike të përgjuara gjatë muajit mars të vitit 2013, që sot po prezantohen në gjykatë për manipulimet zgjedhore të njohura me nofkën ‘Titanik’ shfaqin planin e detajuar të VMRO DPMNE-së për të fituar zgjedhjet lokale në Komunën Qendër. Bisedat bëhen për votim në raundin e dytë të zgjedhjeve, prej 26 marsit e më tej ose menjëherë pas rrethit të parë zgjedhor. Kryeorganizatori asaj kohe ishte ish-ministri i Transportit Mile Janakievski i cili pretendon që me një skemë të detajuar, të arrijë të nxjerrë 15 mijë votues që do të votojnë për kandidatin e VMRO së.
Janakievski flet me disa persona të ndryshëm që u kërkon lista të personave të punësuar në sektorin privat dhe publik. Në mënyrë shtesë kërkon edhe lista të personave që shteti u ka dhënë nga 3 mijë euro për nisje të biznesit. Kërkon edhe nga disa anëtare ose të punësuar nga VMRO ja që të bëjnë lista të fqinjëve ose miqve që do duhet të votojnë.
“Po bëjmë listë prej 15 mijë personash që do të votojnë për kandidatin e VMRO së. Të gjithë në duhet të japim kontribut. Bëj presion sa mundesh. E di se sa e kemi me rëndësi Qendrën”
Mile Janakievski në një bisedë tjetër tregon se si e kanë bërë planin dhe koordinimin për mbledhjen e votave. Janë bërë disa target grupe. Çdo grup me nga një koordinator i cili do të monitorojë me ekip se sa persona kanë dalë në vendvotim të caktuar dhe nëse ka dikush që s’ka dalë të votojë dhe duhet t’i bëhet telefon dhe t’i bëhet presion që të dalë.


