
Alsat 2019-06-11T15:57:53+02:00
Sasho Mijallkov, në rolin e të akuzuarit për përgjimin e paligjshëm 10 vjeçar në vend, i bëri pyetje sot dëshmitarit të PSP-së, Zvonko Kostovski. Ai është një nga dy punonjësit e DSK-së që e zbuluan skandalin. Ish-drejtori i policisë sekrete e pyeti Kostovskin nëse është i sigurt se përgjimi ka qenë në DSK, kur një kompani izraelite disa vite më parë ka hartuar një raport duke theksuar se në kryeqytet përgjohet nga pajisje që nuk janë në pronësi të Ministrisë së Brendshme. Kostovski u përgjigj se cilësia e bisedave është tregues se incizimet kanë qenë nga DSK-ja. Mijallkov, në përpjekje për ta deskredituar dëshmitarin, e pyeti nëse ai dhe Gjorgji Llazarevski kanë marrë para për t’i dorëzuar “bomba” opozitës së atëhershme, respektivisht LSDM-së.
Thatë se nuk keni qenë i paguar që t’i shpërndani bisedat e përgjuara, por a e dini se në llogarinë e Llazarevskit dhe të anëtarëve të tij të familjes janë gjetur 100 mijë euro, ndërsa te ju ka aksione në vlerë prej 40 mijë euro!?- deklaroi i akuzuari Sasho Mijallkov.
Kostovski u përgjigj duke thënë se akuzat e Mijallkovit janë gënjeshtra.
Ato janë spekulime. E lus gjyqin të kontrollojë dhe të dorëzojë prova. Kjo është gënjeshtër- tha Zvonko Kostovski, dëshmitar i PSP-së.
Rasti “Target- Fortesa” ka të bëjë me përgjimin e paligjshëm, lëndë përmes të cilës PSP-ja dëshiron të dëshmojë se telefonatat e qytetarëve në mënyrë të paautorizuar janë përgjuar në DSK. Cak kanë qenë mbi 4 mijë numra telefoni pa urdhër gjyqësor. Përveç Mijallkovit, në këtë rast është e akuzuar edhe ish ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska si dhe ish punonjësit operativ të DSK-së Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski që u arratisën në Greqi.
Bojan Stojanovski
Loading…



