Tenderi i EVN HOME, për çmimin e ri të energjisë elektrike përfundon brenda një jave, ndërsa EMV-ja edhe pse planifikoi më datën gjashtë të këtij muaji, ende nuk ka dorëzuar llogaritjet e gatshme në Qeveri. Pasi të dorëzohen, në sesion të mbyllur qeveritar do të vendoset se me çfarë çmimi elektranat shtetërore do ta shesin energjinë elektrike gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Aktualisht, çmimi për megavat orë është 56 euro. Kryeministri Kovaçevski, siguron se çmimi i ri nuk do të shkaktojë goditje të çmimeve për qytetarët dhe nëse është e nevojshme, ka para të mjaftueshme në buxhet për subvencionim.
“Qeveria nuk do të lejojë një goditje të çmimeve për qytetarët siç nuk kemi lejuar deri më tani, sepse ju e dini Qeveria 80% e subvencionoi çmimin e energjisë elektrike gjatë gjithë sezonit të ngrohjes vitin e kaluar si dhe këtë vit. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Buxheti parashikon tashmë 250 milion euro mjete për masat anti- krizë, duke përfshirë financimin për çmimin e rrymës”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Rregullatori, ndërkohë, po shqyrton llogaritjet nga kompanitë e tjera të energjisë, që i dorëzuan javën e kaluar. Operatori i tregut të energjisë elektrike, MEMO kërkon një rritje prej mbi 80%, Elektrodistribuimi mbi 30%, dhe operatori i transmetimit MEPSO kërkon rritje të çmimit të shërbimit të tij me mbi 50%. Por, cilat nga kërkesat do të pranohen dhe cilat jo, Komisioni Rregullator i Energjetikës do t’i shqyrtojë së shpejti. Nga 1 korriku, përveç çmimit të ri të energjisë elektrike, pritet të kthehet edhe TVSH-ja nga 10 në 18 për qind, dhe u paralajmërua kthimi i energjisë elektrike të lirë ditore. /Alsat.mk