Vetëm dy ditë përpara se të hidhet shorti për ndarjen e banesave të reja në lagjen e re në Kombinat, Bashkia e Tiranës ka publikuar listën e familjeve përfituese.
Jo të atyre që mbetën pa strehë pas tërmetit të pesë viteve më parë, por të familjeve që shpronësohen, pasi në truallin e tyre u ndërtuan pallatet që presupozohet t’u shpërndahen banorëve. Në faqen zyrtare janë bërë publike dy lista, konkretisht për godinat 5A dhe 6A në lagjen e rindërtuar në “Kombinat”. Gazeta sjell më poshtë emrat e përfituesve për efekt shpronësimi, ndërkohë që banorët e mbetur pa një çati mbi krye nuk janë pjesë e kësaj liste. Së paku, jo asaj të bërë publike. sakaq, premtimi i qeverisë është që brenda verës të ndahen mbi 500 apartamente.
SHORTI PUBLIK
Rreth 135 përfitues, midis tyre edhe autoritete publike, do të mund të bëhen nesër pronarë të banesave në lagjen e re në “Kombinat”. Shorti hidhet mëngjesin e kësaj të mërkure dhe procedura është e njëjtë me ato të mëparshmet. Ata që nuk paraqiten, të drejtën e tërheqjes së banesës e bën kryetari i komisionit të posaçëm. “Bashkia Tiranë, më datë 18.06.2025, ora 09:00, pranë ambienteve të shkollës ‘Lasgush Poradeci’, organizon shortin publik për përzgjedhjen e njësive të banimit dhe tregtimit, në objektet e reja të ndërtuara në lagjen e re ‘Kombinat’, konkretisht godina 5a/6A, për sistemimin e subjekteve të shpronësuara nëpërmjet shpronësimit me shkëmbim.
Procedura e hedhjes së shortit dhe përzgjedhjes së njësive të banimit/tregtimit në objektet e reja, do të bëhet sipas parashikimeve të rregullores së miratuar për mënyrën e zhvillimit të procedurës së shorteut publik dhe të hapur, në kuadër të procesit të rindërtimit, të cilën e gjeni të afishuar pranë njësisë administrative dhe faqen zyrtare të internetit të Bashkisë Tiranë. Në rast se ju apo përfaqësuesi juaj, nuk paraqiteni edhe pse keni marrë rregullisht njoftimin, atëherë të drejtën e përzgjedhjes e ushtron Kryetari i Komisionit, në prani edhe të subjekteve të tjera përfituese dhe rezultati i përzgjedhjes pasqyrohet në procesverbal në të cilin evidentohet e gjithë kjo procedurë”, – citohet në njoftimin e Bashkisë, në të cilën specifikohen edhe rastet se si procedohet kur personi përfitues nuk paraqitet. “Lutemi të merrni masa që ju apo përfaqësuesi juaj me prokurorë të jeni të pranishëm në shortin publik, ku nëpërmjet një procesi të hapur dhe transparent nga ana juaj do të bëhet përzgjedhja e njësisë së re të banimit”./Gazeta Panorama