Rreth 800 garues nga 40 shtete të ndryshme u bënë pjesë e aktivitetit sportiv “Green Half Marathon 2026”, i zhvilluar në qytetin e Beratit, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Në këtë edicion morën pjesë rreth 100 atletë më shumë se një vit më parë, duke shënuar një rritje të ndjeshme të interesit për këtë aktivitet.
Garuesit konkurruan në dy kategori kryesore, në distancat 10 km dhe 21 km, ndërsa itinerari i garës përshkoi zonat më karakteristike të qytetit, duke përfshirë qendrën historike, bulevardin kryesor dhe segmentet përgjatë lumit Osum.
Përveç dimensionit sportiv, aktiviteti kishte edhe një fokus të veçantë në promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit, duke reflektuar edhe vetë konceptin “Green” të maratonës.
Pjesëmarrësit vlerësuan organizimin dhe mikpritjen e qytetit të Beratit, ndërsa theksuan rëndësinë e përfshirjes në aktivitete që nxisin një stil jetese të shëndetshëm dhe bashkojnë komunitete nga vende të ndryshme.
Aktiviteti u organizua nga Bashkia e Beratit në bashkëpunim me federatat dhe institucionet përkatëse të sportit dhe kulturës, duke bërë bashkë sportistë profesionistë dhe amatorë, si dhe duke tërhequr një numër të konsiderueshëm vizitorësh.
I pranishëm në këtë event ishte edhe kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Ceca, i cili ndau çmimet për fituesit e garës.
FITUESIT KRYESORË TË GARËS SIPAS KATEGORIVE ISHIN:
Meshkuj 21 km (International): Raphael Garechu Karita
Femra 21 km (International): Valentine Jebet
Meshkuj 10 km (International): Albert Kipkorir Tonui
Femra 10 km (International): Loise Wambui Kiarie
Meshkuj 21 km (Shqiptar): Zoi Dhimertika
Femra 21 km (Shqiptar): Kristina Pura
Kategoria +65, Meshkuj 10 km: Elmi Gegaj
Kategoria +65, Meshkuj 21 km: Gazmend Shehu
I riu më i mirë: Ibrahim Sula
Më i moshuari: Sotir Qirjaqi


