Sot në mesnatë skadon afati për grumbullimin e nënshkrimeve për kandidat të pavarur që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Deri më tani nënshkrime kanë filluar të grumbullojnë 27 kandidatë, prej të cilëve vetëm një shqiptar, Enver Pajaziti kryetar aktual i Komunës së Bërvenicës.
Përveç tyre nënshkrime grumbullohen edhe për 48 lista të kandidatëve për këshilltarë komunal, ndërsa tre prej tyre udhëhiqen nga shqiptar. Pas skadimit të afatit KSHZ, pritet të publikojë emrat e kandidatëve dhe listave të cilët kanë arritur të grumbullojnë nënshkrimet e e nevojshme. Ndërkaq për dorëzimin e kandidaturave si ato të pavarura, po ashtu edhe ato të partive politike, kanë mbetur edhe 10 ditë.
ARJETA XHEMAILI, ZËDHËNËSE E KSHZ-SË
“Sot është afati i fundit për mbledhjen e nënshkrimeve sa i përket kandidatëve të pavarur, deri në orën 24:00. Ndërkohë, parashtrmi i listave të kandidatëve vazhdon deri më 14 shtator, ora 24:00. Listat e kandidatëve duhet të dorëzohen në këshillat komunal, respektivisht Këshilli Komunal i Qytetit të Shkupit të cilat duhet t’i vërtetojnë në afat më së voni prej 48 orëve”
KSHZ ka njoftuar se nga 21 gushti deri më sot, gjithsej 16319 qytetarë kanë kontrolluar listën e votuesve gjatë shqyrtimit publik, ndërsa vetëm gjatë ditës së djeshme këtë e kanë bërë 2021 qytetarë me të drejtë vote.
Nga numri i përgjithshëm që nga dita e parë, në listë janë rregjistruar 13 personat emrat e të cilëve nuk kanë figuruar, ndërsa 6 persona janë fshirë nga lista. Për 15 votues është marrë vendim që t’u ndryshohen të dhënat personale, ndërsa 7 personave të tjerë u është hequr adresa e banimit.
Shqyrtimi publik i listës së votuesve do të jetë i hapur deri më 9 shtator. Më 25 shtator zyrtarisht fillon fushata parazgjedhore për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, ndërsa një ditë para votimit, më 14 tetor do të mbizotërojë heshtje parazgjedhore në mbarë vendin. Për të fituar në rreth të parë kandidatët duhet të fitojnë 50% plus një votë më tepër nga numri i përgjithshëm i qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës. Nëse këtë numër nuk e arrin askush, atëherë dy kandidatët me më tepër vota të fituar garojnë në rrethin e dytë i cili mbahet dy javë pas rrethit të parë. Arben Zeqiri /SHENJA/

