Po përfundon masa për kufizimin e çmimeve dhe marzhave që e vendosi Qeveria para festave të Ramazanit dhe Pashkëve. Nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës bëjnë të ditur se fillimisht do t’i analizojnë rezultatet përfundimtare të kësaj mase, dhe më pas do të vendosin për hapat e ardhshëm. Nëse konstatohen abuzime, paralajmërohen masa më të rrepta.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, tha se do të ketë kufizim të marzhave për pothuajse të gjitha produktet, ose rritje të vlerës së kufizimit të marzhave, nëse pas përfundimit të masës qeveritare, Inspektorati Shtetëror i Tregut konstaton sjellje devijante nga supermarketet dhe rritje të skajshme të çmimeve.
Sipas tij, kufizimi i marzhave deri në 10% ka dhënë rezultate dhe ka sjellë ulje të çmimeve të ushqimeve dhe pijeve.
Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se masa ka dhënë rezultate – në mars kemi pasur inflacion prej 2.7%, ndërsa krahasuar me shkurtin kemi një deflacion prej 1.3% në pjesën e ushqimeve dhe pijeve. Të njëjtat të dhëna tregojnë se edhe këtë muaj çmimet në kategorinë e ushqimeve dhe pijeve janë ulur, kështu që masa po funksionon. Me Inspektoratin Shtetëror të Tregut do të jemi në terren, do t’i ndjekim çmimet dhe nëse ka sjellje devijante nga supermarketet apo rritje ekstreme të çmimeve, sigurisht që do të vijojmë me masa të reja, deklaroi së fundmi Durmishi.
Ai theksoi se nëse tregtarët nuk sillen siç duhet apo i rrisin çmimet, do të ketë masa më të rrepta se më parë.
Nëse tani janë të përfshira 102 grupe produktesh ushqimore dhe jo-ushqimore bazë, kjo do të thotë se do të përfshihen edhe më shumë grupe. Me vendimin e ri për kufizimin e marzhave, do të përfshijmë pothuajse të gjitha produktet që ofrohen nga rrjetet e supermarketeve ose do të rritet kufiri i marzhës së fitimit, tha Durmishi.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, theksoi dje se të dhënat e deritanishme nga Enti i Statistikave tregojnë rezultate pozitive nga masa, por tha se do të presin rezultatet përfundimtare javën e ardhshme për të vendosur për hapat e mëtejshëm.
Nëse ka nevojë, masa do të vazhdojë. Në të kundërt, ekonomia e tregut do t’i rregullojë çmimet, deklaroi Risteski.
Ai shtoi se shpreson që nga përvoja e kaluar, të gjithë pjesëmarrësit në zinxhirin e tregtisë e kanë mësuar mësimin se qytetarët dhe mbrojtja e standardit jetësor janë të parët.
Të gjithë së bashku duhet të bëjmë gjithçka për të mbrojtur standardin e qytetarëve dhe të mos krijojmë inflacion apo rritje të çmimeve artificiale kur nuk ka arsye ekonomike për këtë – duhet të respektojmë ligjet ekonomike, theksoi Risteski.
Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, që nga 20 marsi i këtij viti, u zbatua kufizimi i marzhës së fitimit bruto për 102 grupe produktesh dhe u përcaktuan çmimet maksimale për tetë grupe të produkteve ushqimore. Masat skadojnë sot.
Me ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, që hynë në fuqi më 18 të këtij muaji, tregtarët me pakicë janë të detyruar t’i publikojnë çmimet në faqet e tyre të internetit dhe t’i përditësojnë çdo ditë deri në orën 10:00.
Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë (OPM) propozon krijimin e një mjeti për krahasimin e çmimeve, ndërsa nga Ministria thonë se duhet të kalojë një muaj nga zbatimi i detyrimit për të parë rezultatet, por nuk përjashtojnë mundësinë për një faqe të përbashkët ku qytetarët do të mund të kontrollojnë çmimet.
Ende është duke u analizuar nëse shporta mesatare e shpenzimeve që po përgatitet nga Ministria do të bazohet në një familje me tre apo katër anëtarë. Siç deklaroi ministri para dy ditësh, po diskutohet për këtë temë, po analizohen të gjitha të dhënat, do të merren mendime nga të gjithë përfaqësuesit në grupin e punës dhe do të arrihet një qëndrim i përbashkët.
– Kemi një version draft për të cilin po diskutojmë, dhe në një periudhë të shkurtër do të jetë në dispozicion për qytetarët, gazetarët, sindikatat. Kemi përgatitur një shportë shpenzimesh shumë të mirë me të dhëna nga institucione relevante, do të përfshijë të gjithë qytetarët, do të specifikohet saktë se cilët produkte konsumohen në cilin periudhë kohore, dhe do të saktësohet burimi i çmimeve – që do të merren nga më shumë tregtarë, jo vetëm nga dy ose tre si në shportën sindikale. Do të merret parasysh edhe sa anëtarë ka familja. Po punojmë në këtë drejtim. Grupi i punës po punon prej dy muajsh, mendoj se muajin tjetër do ta kemi dokumentin, që do të shqyrtohet nga anëtarët e tjerë të Qeverisë dhe pasi të përcaktohet përfaqësimi sindikal, do t’i dorëzohet edhe Këshillit Ekonomik dhe Social, do të shqyrtohet, votohet dhe do të jetë i qasshëm për qytetarët, deklaroi Durmishi në një përgjigje për gazetarët.