Përfundoi edhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.
Qytetarët sot patën mundësinë të votojnë për një nga dy kandidatët që kanë shkuar në balotazh nëpër këto 35 komuna.
Në këto 35 komuna, në gjithsej 1.517 vendvotime, të drejtën për të votuar e kishin 833.710 qytetarë, ndërsa procesi i votimit ka filluar në kohë, në orën 07:00.
Ashtu si edhe në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtur më 15 tetor, edhe në këtë raund të dytë, në komunat me shumicë maqedonase dalja për të votuar ishte më e lartë se sa në komunat me shumicë shqiptare.
Jehona e votuesve deri në orën 10:00, sipas të dhënave të KSHZ, në nivel republikan, ishte 8.09 %, ndërsa në raundin e parë dalja në të njëjtin hark kohorë ishte 8.98 %. Ndërkohë që deri në orën 10:00 komuna me fluksin më të madh të votuesve ishte ajo e Demir Kapisë, ndërsa ajo me fluksin më të ulët të votimit ishte komunën e Studeniçanit.
“Sa u përket komunave dalje më të madhe ka pasur në Demir Kapi me 22.47 për qind ndërsa dalje më të vogël të votuesve ka pasur në Studeniçan me 3.99 për qind. Ndërkohë, në gjashtë komunat e Shkupit ku votohet në raund të dytë, dalje më të madhe të votuesve ka pasur në Butel 10.81 për qind ndërsa dalje më të ulët ka pasur në Çair me 6.17 për qind”- u than ë konferencën e parë të KSHZ-së.
Ndërkohë në konferencën e radhës të KSHZ-së, në atë të orës 14, u tha se dalja e votuesve në nivel republikan deri në orën 13:00 ishte 24.38 për qind , ku shihej ulje në krahasim më të njëjtin hark kohorë në raundin e parë, ku dalja në nivel republikan ishte 27,11 për qind, pra vërehet ulje për 2.73%
Komuna e Demir Kapisë vazhdonte të ishte komuna me fluksin më të madh të votuesve, ndërsa komuna me fluksin më të ulët ishte në Jegunovc.
“ Dalja e votuesve në nivel republikan deri në orën 13:00 është 24.38 për qind. Ashtu si në orën 10:00 edhe në orën 13:00 dalje më të madhe të qytetarëve për të votuar ka në Demir Kapi edhe atë me 48.19%, ndërsa dalje më të ulët ka në Jegunovc me 12.77%. Deri tek ne nuk është paraqitur asnjë ankesë”- thanë nga KSHZ-ja.
Konferenca e tretët e KSHZ-së dhe e fundit për sa kohë vendvotimet ishin të hapura, u mbajt në orën 18:00. Në këtë konferencë nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, thanë se dalja e qytetarëve për të votuar në nivel shtetëror është 43.83%, ku vërehej pothuajse dyfishim i numrit të votuesve në krahasim me orën 13:00, ndërsa krahasuar me raundin e parë kur dalja ishte 49.14 për qind, ka një rënie prej 5,31%.
“Dalje më të madhe të qytetarëve për të votuar ka në Demir Kapi edhe atë me 76.59%, ndërsa dalje më të ulët ka në Shuto Orizare me 31.76%. Ndërsa, krahasuar me raundin e parë 49.14 për qind, ka një rënie prej 5,31%”- thanë nga KSHZ.
Në 6 komuna, konkretisht në Strugë, Tetovë, Çair, Dibër, Studeniçan dhe Tearcë ka ulje të numrit të votuesve në krahasim me rrethin e parë në orën 17:00, informacion ky i bazuar në të dhënat e KSHZ për këtë hark kohorë. Ndërsa, në Gostivar, Saraj, Likovë, Zhelinë, Vrapçisht dhe Bogovinë ka rritje të numrit të votuesve në krahasim me rrethin e parë në të njëjtin hark kohor
Konferenca e radhës nga KSHZ pritet në orën 23:00.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com