Një zjarr ka rënë sot në një banesë në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit, në zonën e njohur si Qafa e Kalasë. Ngjarja është raportuar menjëherë në shërbimet e emergjencës, të cilat kanë ndërhyrë me shpejtësi për të vënë situatën nën kontroll.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe efektivët e policisë, të cilët kanë bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve që kishin përfshirë kuzhinën e banesës. Sipas zjarrfikësve, dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një rrjedhje gazi në sobën e kuzhinës.
Si pasojë e incidentit, është dëmtuar plotësisht kuzhina e banesës. Zonja e shtëpisë, Ëngjëllushe Kokoshi, ka pësuar djegie të lehta në këmbë dhe është transportuar për mjekim në Spitalin Rajonal të Beratit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia po punon për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.