Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në autokolonën që shoqëronte zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance, gjatë vizitës së tij në Tenesi.
Në këtë incident ka mbetur i plagosur rëndë oficeri i sigurisë Justin Brown, pjesë e njësisë motorike që garanton mbrojtjen e numrit dy të administratës amerikane.
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e 14 nëntorit, në zonën e Maryville-s, kur motoçikleta e drejtuar nga Brown u përplas me një automjet SUV të Policisë Rrugore të Tenesit. Përplasja ishte shumë e fortë dhe e la oficerin në gjendje kritike.
Sipas njoftimit zyrtar të Departamentit të Policisë së Maryville-s, kalimtarë të rastit kanë qenë të parët që i kanë ofruar ndihmën e parë oficerit të plagosur, para se ai të dërgohej me urgjencë në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Tenesit nga American Medical Response.
“Për ata që me reagimin e tyre të shpejtë shpëtuan jetën e FTO Brown mbrëmë, nuk do të mund t’ju falënderonim kurrë mjaftueshëm. Ju jeni heronj të vërtetë”, deklaroi shefi i policisë Tony Jay Crisp.
Brown iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal më 15 nëntor dhe vazhdon të jetë në gjendje kritike.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance nuk ka komentuar ende publikisht ngjarjen. Para aksidentit, në një intervistë për “Hannity” në Fox News, ai u shpreh se do të shqyrtonte mundësinë e kandidimit për president të SHBA-së pas zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2026.


