Dy punonjës të një agjencie turistike në Tiranë janë arrestuar nga blutë ditën e sotme, pasi kanë përfituar vlerën prej 15 mijë euro duke mashtruar klientët e biznesit.
Në pranga kanë rënë të rinjtë K.K., 22 vjeç dhe R.H., 24 vjeç, të dy banues në kryeqytet.
Punonjësit u merrnin paratë klientëve për rezervimin vajtje-ardhje të biletave dhe për akomodim në hotel. E vërteta është se të rinjtë blinin vetëm biletën e ardhjes, duke bërë që çdo ‘tepricë’ të shkojë në xhepin e tyre.
Ata akuzohen për veprat penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, të parashikuara nga nenet 143/2-25, 180 dhe 181 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Travel”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.
Ndalohen 2 shtetas, punonjës të një agjencie turistike, pasi dyshohet se kanë përfituar rreth 15 000 euro, duke mashtruar klientët e agjencisë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Travel”. Si rezultat i operacionit u ndaluan shtetasit:
K. K., 22 vjeç, dhe R. H., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, parashikuar nga nenet 143/2-25, 180 dhe 181 të K. P.
Këta shtetas dyshohet se kanë mashtruar klientë të agjencisë së udhëtimit ku ishin të punësuar, pasi iu kanë marrë atyre paratë për rezervimin e biletave për vajtje, ardhje dhe për akomodim në hotel, por kanë blerë vetëm biletën për vajtje në destinacion.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.