Inspektorati Shëndetësor Sanitar ende nuk e ka dorëzuar raportin në Ministrinë e Shëndetësisë, mbi punën e kryer nga ish drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Igor Kuzmanovski, i cili u shkarkuar pas videos komprometuese të publikuar në rrejtët sociale. Pas dorëzimit të raportit nga ana e Inspektoratit, do të formohet edhe një komision me ekspertë brenda MSH-së për të analizuar se si ka punuar Kuzmanovski.
“Inspektorati ende nuk na ka sjellë raportin. Pas raportimit nga ana e Inspektoratit do të krijohet edhe një komision nga aspekti i cilësisë së punës së mjekut nga aspekti klinik. Kështu që pas raportit në varshmëri nga raporti neve do të krijojmë profilin e personave dhe ekspertëve të cilët do të jenë pjesë e kësaj analize në aspekt klinik profesional”, tha Azir Aliu, Ministër Shëndetësisë.
Skandali me Kuzmanovski shpërtheu disa ditë më parë, kur nëpër rrjetet sociale me një hov të madh filloi të shpërndahet video e tij me lëndë narkotike, pas së cilës edhe u shkarkua. Më pas doli në pah se ai nuk kishte licencë aktive për rreth shtatë muaj, respektivisht e njëjta i kishte skaduar më 15 mars të këtij viti. Ndërsa më 8 gusht të këtij viti, Kuzmanovski u emërua drejtor klinike pa licencë.
Nga Inspektorati Shëndetësor sqaruan se për rreth 5 muaj Kuzmanovski ka vazhduar ta ushtroj profesionin e tij si mjek, duke kryer kontrolle shëndetësore edhe pse nuk ka pasur licencë. Ndërsa në ditën që është emëruar drejtor ka ndërprerë kontrollet ndaj pacientëve.
Ndërkohë, Oda e Mjekëve ende nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me këtë rast. / Alsat.mk


