Nga zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoni (2013) mund të mbani mend retorikën nacionaliste të OBRM-PDUKM-së në lidhje me komunat të cilat ishin të rrezikuar që t’i fitonin kryetarë shqiptarë.
Mbahet mend prej atëherë fjalimi kërcënues i Nikolla Gruevskit nga Kërçova kundrejt kandidatit të BDI-së, Fatmir Dehari.
Kjo retorikë atëherë u cilësua si kërcënuese nga faktori ndërkombëtar dhe si e tillë rrezikonte marrëdhëniet ndëretnike në vend. Për ‘tango’ duhen dy valltarë, e këtë detyrë atëherë BDI e bënte si më mirë, duke qenë edhe partner qeveritar i atëhershëm i OBRM-PDUKM-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.
OBRM-PDUKM-ja atëherë e humbi Kërçovën dhe Strugën por fitoi shumë më shumë komuna se sa mendohej, pikërisht nga fjalori i tyre i zjarrtë me përmbajtje nacionaliste.
Shembujt e fundit të ”betejës” së OBRM-PDUKM-së opozitare janë në temën emigrantëve. Nuk ka informacione të sakta nga autoritetet dhe për këtë ka keqpërdorime nga OBRM-PDUKM-ja që nëpërmjet propagandës dhe lajmeve të rrejshme, mundohet të krijojë një realitet ndryshe, të paqenë në të vërtetë.
Në disa postime nëpër rrjete sociale, aktivistë dhe mbështetës të kësaj partie veçse e kane filluar shfaqjen e ksenofobisë për temën ”shpërngulja e emigrantëve në Maqedoni”.
Në një fotografi ku shihen fëmijë të veshur si në vendet arabe, shtohet mbishkrimi ”Një ditë shkolle në Shtip, pas ardhjes së emigrantëve.”