Ministria për Punë dhe Politikë Sociale po përgatit 11 padi penale ndaj personave përgjegjës që kanë të bëjnë me rastin e 13-vjeçares e cila ishte pre e keqpërdorimit dhe keqtrajtimit në këtë qendër strehimi.
Paditë vijnë pas inspektimit të jashtëzakonshëm të Inspektoratit social pranë kësaj ministrie.
Sipas raportit të dalë nga inspektimi i jashtëzakonshëm, paditë do të ngrihen për “ pakujdesi gjatë punës zyrtare” si dhe ndaj personave të caktuar në këtë Qendër strehimi “për neglizhencë ndaj të miturve”.
Kjo padi do të ngrihet kundër të gjithë personave të cilët kanë qenë të obliguar të veprojnë dhe të ndërmarrin masa në rastin me të miturën R.I gjatë periudhës nga viti 2012-2017. Nga ministria e Punës Sociale njoftuan se po ashtu nga ana e inspektorëve janë dorëzuar 12 iniciativa për ngritjen e procedurës disiplinore kundër disa personave, në pajtueshmëri me Ligjin për marrëdhënie pune. Janë iniciuar edhe 12 procedura për shkelje nga ana e personave të caktuar lidhur me rastin, sipas Ligjit për mbrojtje sociale.
Rasti me të miturën rome ndezi alarmin rreth një jave më parë ku 13 vjeçarja iu nënshtrua abortit në Klinikën për Gjinekologji në Shkup. Dyshimet për të miturën ishin denoncuar nëntë herë me radhë si në Ministrinë e Brendshme ashtu dhe në Prokurori. Nga dikasteri i Brendshëm thanë se secilën herë që tek ta është lajmëruar për rastin ata kanë ndërmarrë masa dhe e kanë njoftuar Prokurorinë Publike që e njejta më pas të vazhdojë procedurën për zbardhjen e rastit. Kjo e fundit ditë më parë komunikoi se ka formuar lëndë është dhënë urdhër për verifikimin e dyshimeve dhe se janë thirrur disa persona të cilët mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit. Ndërkaq gjatë ditës së djeshme prokurori Publik Lubomir Joveski deklaroi se Prokuroria Publike nuk mund të ngrejë padi kundër personit N.N pasiqë ka kërkuar të dhëna nga MPB për verifikimin e identitetit. Joveski tha se kur Prokuroria do të posedojë identitetin e autorit për kryerjen e veprës penale do të ngrenë padi penale.
Ky rast u zbula nga Organizata joqeveritare evropiane për të drejtat e Romëve.
Ndryshe, në Qendrën për strehimin e fëmijëve me nevoja arsimore-sociale “25 Maji” në Shkup qëndrojnë fëmijë të cilët nuk posedojnë kujdestari prindërore.