U grindën kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska dhe VMRO-DPMNE ndërsa nuk kaloi as një vit që kur partia opozitare e përkrahu kandidaturën e saj në zgjedhjet lokale. Arsovska këto ditë i shkarkoi nga funksioni drejtorin e Ujësjellësit Zllatko Perinski dhe sekretarin e Qytetit të Shkupit, Gjoko Vellkovski, njerëz të afërm deri te VMRO-DPMNE-ja, për shkak se, siç tha, kanë vepruar sipas vullnetit të tyre dhe në mënyrë jo adekuate në procedurën për tenderin, vlera e të cilit arrin disa milionë. Jo zyrtarisht Arsovska u zemërua për shkak të kurdisjes së tenderit për një stacion të filtrimit. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski konfirmon se me Arsovskën e kanë ndërprerë bashkëpunimin.
“Ka momente kur do të shihni se pritshmëritë nuk janë të tilla siç keni pritur ju, në të dyja anët, dhe më pas thjesht mund të nisni të lëvizni në drejtime të ndryshme në jetë. Edhe Gjoko Vellkovski, ish-sekretari i cili sot u largua nga ajo pozitë për arsyet që i shpjegoi edhe Zllatko Perinski, kanë mbështetjen time absolute dhe të qartë. Sa i përket prokurimit, ju kujtoj se ky prokurim është nga viti 2019, kur kryetar i qytetit të Shkupit ka qenë dikush tjetër, nuk ka qenë kryetari aktual, po ju kujtoj se ai projekt është financuar nga Banka Botërore.”- deklaroi Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.
Në lidhje me këtë, konferencë për mediat mbaji edhe tashmë ish drejtori i Ujësjellësit, Perinski, ku erdhi edhe kryetarja Arsovska e cila e pyeti në çfarë cilësi mban konferencë për shtyp. Perinski i hedh poshtë akuzat për kurdisjen e tenderëve. Sqaroi se në mes të korrikut nga Qyteti i Shkupit i kanë kërkuar që ta ndryshojë Komisionin që e bën evaluimin për zgjedhje të realizuesit të stacionit të filtrimit, si dhe anëtarët e komisioneve për mbikëqyrje dhe ankesa. Këtë e ka refuzuar Banka e investimeve si kreditor i projektit.
“Pasi iu drejtova Bankës së investimeve, prej atje më thanë se në këtë fazë nuk është mirë, për shkak se evaluimi ende po zgjat, që të ndryshohen anëtarë të komisionit për shkak se kjo do të thotë prolongim të projektit, gjë që është shumë e dyshimtë, për shkak se shteti paguan 0,5%. gjobë për jo realizim të kredive Të mos luajmë me akuza të këtilla sepse e gjithë kjo mund ta rrezikojë projektin për të cilin shteti ka marrë grant prej 72 milionë eurove.”- pohoi Gjoko Perinski, ish-drejtor i Ujësjellësit.Në konferencën për mediat që e thirri Perinski, pa qenë e ftuar ka ardhur kryetarja Arsovska e cila tha se ka marrë informacione se drejtori i Ujësjellësit e ka kurdisur tenderin.“Qyteti ka kërkuar që të sigurohet procedurë më transparente, ndërsa kjo nuk u realizua, me fjalë të tjera, kanë shmangur që ta realizojnë, andaj dyshimet tona janë serioze se ka pasur përpjekje që të ndikohet ndaj procedurës. Ajo që është e rëndësishme për ne është se në Maqedoninë vlejnë ligjet e Republikës së Maqedonisë e jo ato europianet. Të ketë rregulla, ka marrëveshje që respektohen plotësisht, dihet nëse dikush shkel ndonjë marrëveshje të tillë, kështu që ne këtu kemi legjislativë maqedonase.“- deklaroi Danella Asovska.Përveç Perinskit, u shkarkua edhe sekretari i Qytetit të Shkupit, Gjoko Vellkovski i cili pohon se vetë ai ka dhënë dorëheqje për shkak të, siç tha, potencialit të dobët dhe mosbashkëpunimit me kryetaren Arsovska.