Edhe pse në periudhën e fundit në vend kanë ndodhur shumë aktualitete politike të shoqëruara me skandale të njëpasnjëshme të partive në pushtet, ato edhe më tej vazhdojnë të kryesojnë në sondazhe. Ndërkohë që opozita shqiptare në të gjithë këtë “hallakamë” ka luajtur rolin e një vëzhguesi pasiv duke mos iu dëgjuar zëri thuajse fare.
“Opozita shqiptare është në hibernacion të thellë, në një kohë kur disa dhjetëra skandale dhe vepra penale janë duke e dridhur sulltan partinë e Ali Ahmetit. Të heshtësh si opozitë në një kohë kur me protesta dhe me konferenca të shpeshta mundesh pozitën ta hedhësh për toke, nuk është strategji dhe shenjë e mirë. Heshtja e opozitës në një kohë kur emigrimi e masakron ardhmërinë tonë në vend, nuk është asgjë tjetër, veçse bashkëqeverisje me të keqen. Për momentin opozitë në vend janë vetëm mediumet dhe organizatorët e protestave kundër diskriminimit dhe segregacionit të shqiptarëve”, kështu vlerëson në prononcimi, Shpëtim Pollozhani, njohës i zhvillimeve politike në vend dhe aktivistë i sektorit civil.
Nga ana tjetër, analisti Nijazi Muhamedi thekson se jeta politike e shqiptarëve në Maqedoni ka rënë në kolaps të rëndë dhe në skemë të tij kanë rënë në pako si ajo që i thotë vetes “pozitë”, si ajo që ia ka qitur emrin vetes “opozitë”. Profesori universitar, Mersim Maksuti konsideron se veprimi i opozitës shqiptare është i pamjaftueshëm në drejtim të detektimit të problemeve të pushtetit, si dhe manifeston paaftësi në paraqitjen e alternativave të saja më të mira në mënyrën e qeverisjes dhe zgjidhjen e të drejtave të qytetareve. Për analistin Faton Aliti, opozita bënë mirë që nuk kritikon zhurmshëm për politikat integruese, për arsye se kjo sipas tij, demonstron unitet të brendshëm politik.
Ndërkohë, profesori universitar, Mersim Maksuti konsideron se veprimi i opozitës shqiptare është i pamjaftueshëm në drejtim të detektimit të problemeve të pushtetit, si dhe manifeston paaftësi në paraqitjen e alternativave të saja më të mira në mënyrën e qeverisjes dhe zgjidhjen e të drejtave të qytetareve.
“Kjo është detyrë dhe nderë për opozitën që duhet ta bëj gjatë gjithë kohës së të qenit opozitë dhe jo vetëm të zgjohet nga gjumi kur fillojnë të fryjnë erërat për zgjedhje të reja parlamentare. Opozitës shqiptare i mungon vizioni, strategjia dhe unifikimi i qëndrimeve politike rreth çështjeve të rëndësishme jetike me të cilat përballet shoqëria jonë”, shprehet Maksuti. Për analistin Faton Aliti, opozita bënë mirë që nuk kritikon zhurmshëm për politikat integruese, për arsye se kjo sipas tij, demonstron unitet të brendshëm politik. “Mendoj se bëjnë mirë që nuk kritikojnë zhurmshëm sa u përket politikave integruese dhe që janë më të fokusuar në procesin e vënies në funksion të shtetit të së drejtës. Kjo, sepse duhet demonstruar unitet në aspektin integrues, dhe nga ana tjetër funksionimi dhe efikasiteti i organeve të drejtësisë janë të lidhura ngushtë me këtë proces”, deklaroi për KOHA, Aliti./Koha