Zeqirija IBRAHIMI
Universiteti shqip (pra jo universiteti trigjuhësh) në Shkup do të ishte lajmi më i mirë që mund ta kishin marrë shqiptarët e Shkupit në këto 100 vjetët e fundit.
Bashkë me këtë lajm edhe më i mirë do të ishte lajmi se Universiteti Shtetëror i Tetovës, i ngritur dhe ujitur edhe me gjakun shqiptar në Maqedoni, të ishte radhitur ndër 1000 universitetet më të mira në botë.
Por,
Ata që mashtrojnë se e kanë zyrtarizuar gjuhën shqipe në Maqedoni, ndërsa e detyrojnë edhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore Shqiptare të shkruajë maqedonisht,
Ata që nuk arrijnë t’i ndërrojë dy emra shkollash me emra shqiptarësh dhe tash e sa vite vjedhin vota në emër të dëshmorit Imri Elezi,
Ata që i lënë pa ngrohje sallat e mësimit të USHT-së në Shkup,
Ata që e kanë lënë USHT-në me gati 70% kuadër pa vendim pune,
Ata që e kanë dertin se “kush dëshiron ta pastrojë USHT-në nga BDI-ja!”,
Ata që i kanë bërë tekstet shkollore shqipe me aq shumë antishqiptari, bile edhe me pjesë të tëra maqedonisht,
Ata që shkollat shqipe (si atë të Slivnikut dhe plot të tjera) i kanë lënë në gjendje të mjeruar,
Ata që i kanë blerë vetë diplomat universitare dhe kanë krijuar kushte që ato diploma të shiten pak më lirë se specat për turshi,
Ata që kanë lejuar që nëpër bodrumet dhe oborret e shkollave shqipe të zhvillohen edhe veprimtari të kontrabandës,
Ata që rektorin e universitetin e caktojnë nga zyra e partisë,
Ata që i detyrojnë sot njerëzit të shkruajnë me porosi për “suksesin historik të universitetit partiak shqip” në Shkup,
Ata që i detyrojnë sot me lista arsimtarët dhe arsimtaret e shkollave fillore dhe të mesme që të marrin pjesë nëpër tubimet partiake,
Ata që punësimin e arsimtarëve dhe profesorëve në shkolla dhe në USHT e kushtëzojnë me librezë partiake,
Ata që u kthyen nga mali me katërvjeçare dhe tash janë bërë “doktorë shkencash”,
Ata që janë të pakënaqur që i kanë humbur pozicionet politike dhe tash kërkojnë hapësirë në universitet,
Ata që nuk kanë më fytyrë të kërkojnë votë shqiptare dhe tash duan ta përdorin arsimin e lartë shqip në fushatën e ardhshme zgjedhore, për ta rrëmbyer edhe një mandat, për të vjedhur edhe më para, për të vrarë akoma shqiptarë, për ta nëpërkëmbur nderin e familjes shqiptare dhe për të marrë ryshfet milionësh,
Ata enveristë që gjatë shumë viteve e ushqyen dhe shfrytëzuan ekstremizmin islamik dhe tash shtiren më katolikë se papa, duke e shfrytëzuar tash emrin e humanistes Nëna Terezë, që kështu ta mbulojnë turpin e tyre,
Ata as nuk dinë, as nuk duan, as nuk munden e as që do të munden ndonjëherë të prodhojnë institucion të arsimit të lartë shqip në Shkup.
Më e shumta që mund të bëjnë është të bëjnë një kopje të zbehtë të USHT-së dhe një institucion rehabilitimi për aktivistët partiakë. Njerëzit që nuk ia kanë bërë vijë asnjë flete, që nuk dinë të shkruajnë një fjalë shqip, nuk mund të bëjnë universitet. Ata mjafton ta shkruajnë saktë dhe pa gabime emrin e tyre. Natyrisht, maqedonisht, sepse shqip nuk u lejohet.
Ashtu siç është detyrim kombëtar të mbështetet arsimi i shqiptarëve dhe universiteti, si “bashkësi e mësuesve dhe nxënësve”, kur ai bëhet “bashkësia e aktivistëve të Partisë” po ashtu bëhet detyrim kombëtar të deklarohesh se nuk dëshiron përdhosjen dhe politizimin e arsimit të lartë shqip.
Prandaj mjerë për ata që e përdorin universitetin për të fituar vota dhe mjerë për ata studentë që do të mashtrohen se studiojnë në atë institucion.
Më mirë ta qajmë që nuk e kemi sesa ta qajmë që do ta kemi të tillë! Sepse dita e mirë shihet në mëngjes!