Krimet e fëmijëve dhe trajtimi i tyre në sistemin e drejtësisë në vend janë çështje delikate që kërkojnë një qasje të kujdesshme dhe të drejtë, duke u bazuar në parimet e mbrojtjes së fëmijëve dhe të drejtat e njeriut. Në Maqedoninë e Veriut, si dhe në shumë shtete të tjera, Ligji parashikon masa të veçanta për trajtimin e fëmijëve që kryejnë vepra penale.
Sipas të dhënave më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), numri i fëmijëve në konflikt me ligjin është ulur për 8.5 për qind në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022, megjithatë dënimet për këta fëmijë kanë pësuar rritje të dukshme. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të shqyrtohen sanksionet ligjore që mund të shqiptohen ndaj fëmijëve, si dhe masat rehabilituese që mund të ofrohen për ata që janë të përfshirë në këto raste. Në vitin 2023, sipas të dhënave të ESHS-së, 433 fëmijë kanë qenë në konflikt me ligjin, ndërsa 287 raste kanë përfunduar me propozim për dënim ose masë, ndërsa për 110 raste nuk është iniciuar asnjë procedurë dhe në 36 raste procedura është ndërprerë. Në total, 307 fëmijë të moshës nga 14 deri në 18 vjeç janë dënuar gjatë vitit 2023.
E pyetur nga gazeta KOHA se a mund të dënohen me burg fëmijët, juristja Arta Selmani sqaron se fëmijëve të moshës 14 deri në 16 vjeç mund t’i shqiptohet vetëm masë edukative për vepër që me ligj është përcaktuar si vepër penale, ndërsa nga mosha 16 deri në 18 vjeç mund t’i shqiptohen masat edukative për një veprim që me ligj është përcaktuar si vepër penale, por me një përjashtim, mund të dënohet me gjobë, masë sigurie ose mase alternative.
“Ekziston ligj i posaçëm në përputhje me Kushtetutën dhe njihet si Ligj për drejtësi për fëmijët që rregullon trajtimin e fëmijëve në rrezik dhe fëmijëve që kanë kryer vepra që me Ligj konsiderohen si vepra penale dhe kundërvajtje. Sanksioni i parashikuar nga ky Ligj nuk mund të zbatohet ndaj një fëmije, i cili në kohën e kryerjes së veprës, e cila parashikohet me ligj si vepër penale ose kundërvajtje, nuk ka mbushur moshën 14 vjeçe. Ndërsa, ndaj fëmijës në rrezik deri në moshën 14 vjeçe dhe fëmijës në rrezik mbi 14 vjeç – zbatohen masat e ndihmës dhe mbrojtjes të parashikuara në ligj, të cilat janë në interesin më të mirë të fëmijës dhe të rritjes dhe zhvillimit të tij”, tregon Selmani, duke shtuar se këto masa zbatohen vetëm nëse Qendra për Punë Sociale vlerëson se gjendja e rrezikut ndikon në zhvillimin e personalitetit të fëmijës dhe edukimit të duhur të tij.
Për sa i përket masave më të rënda, Arta Selmani sqaron se për fëmijët mbi 16 vjeç, mund të shqiptohen dënime më të rënda si burg për fëmijë, gjobë me para, ndalesë për të drejtuar një mjet motorik, dhe dëbimi i fëmijës nga vendi.
Nga ana tjetër, sa i përket përgjegjësisë ligjore për fëmijët, Selmani theksoi se ajo varet nga mosha dhe zhvillimi i fëmijës. “Përgjegjësia ligjore e fëmijëve për krimet që kryejnë varet nga mosha dhe rrethanat specifike të çdo legjislacioni. Sipas shumicës së sistemeve ligjore, fëmijët konsiderohen me përgjegjësi të kufizuar për krimet që mund të kryejnë, për shkak të moshës dhe zhvillimit të tyre mendor dhe emocional. Mosha minimale është 14 -16 vjeç, pas së cilës një fëmijë mund të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij”, shtoi Selmani për gazetën KOHA.
Ndërkaq, për dallimet midis fëmijëve dhe të rriturve në trajtimin ligjor, ajo shpjegon se nuk ka një dallim të madh mirëpo është më e theksuar është mosha, përgjegjësia ligjore, mbrojtja ligjore dhe rehabilitimi.
“Fëmijët konsiderohen me përgjegjësi të kufizuar për krimet që kryejnë për dallim nga të rriturit që mbajnë përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre ndërsa sa i përket mbrojtjes ligjore, fëmijët kanë mbrojtje të veçantë ligjore për dallim nga të rriturit, ku këta të fundit ndëshkohen me dënime më të rënda. Sa i përket mënyrës për rehabilitim, në Maqedoninë e Veriut, përgjegjësia ligjore është e përshtatshme për moshën dhe zhvillimin e fëmijës, pasi i jepet mundësia për përmirësim, gjë çfarë është tejet e rëndësishme për rehabilitim”, informoi ajo. Për fund, në lidhje me efikasitetin e masave rehabilituese, ekspertët thonë se masat rehabilituese për fëmijët që kryejnë krime janë efektive përderisa përfshijnë shëndetin mendor, edukimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri dhe gjithmonë qasja duhet të jetë korrekte, pasi në këtë trajektore bëhet zhvillimi i personalitetit, ku mund të ndikojë negativisht mbi karakteristikat e personalitetit të fëmijës dhe të shkaktohet devijim edhe më i madh. (koha.mk)