Në nëntë muajt e parë të vitit, në Gostivar dhe rrethinë, kanë ndodhur 235 aksidente trafiku, që është për 32 më shumë se në krahasim me periudhën e njëjtë vitin e kaluar, informojnë nga SPB Tetovë. Bilanci i viktimave është një, ndërsa në periudhën e njëjtë vitin e kaluar janë regjistruar dhjetë viktima.
Zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski potencon se nëntëdhjetë e një nga numri i përgjithshëm i aksidenteve kanë qenë me pasoja më të rënda. Në aksidentet e tjera është shkaktuar vetëm dëm material, i cili vlerësohet në rreth 19 milionë denarë, që është për katër milionë më shumë nga nëntëmujori i vitit të kaluar.
“Numri më i madh i aksidenteve kanë ndodhur në rrugët e Gostivarit, në magjistralen Gostivar-Kërçovë, autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup dhe në rrugët rajonale përreth Gostivar-Gradec dhe Gostivar-Çegran”, theksoi Josifovski.
Sipas analizave të SPB Tetovë, shkaku më i zakonshëm për aksidente është shpejtësia jo e përshtatur, respektivisht ngarja e shpejtë (127), aksidente, mosrespektim i përparësisë (13), ngarja nën ndikim të alkoolit (9).
Mosdisiplina në trafik në këtë periudhë të vitit, në rajonin e Gostivarit shënon trend rritës. janë zbuluar 7.702 lloje nga më të ndryshmet të kundërvajtjeve ose 724 më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Kundërvajtjet janë sanksionuar me hartim dhe parashtrim të 2.217 kërkesa për ngritje të procedurës kundërvajtëse, 3,270 kundërvajtje dhe 4.432 fletëpagesa rrugore mandatare.
Zëdhënësi Josifovski thekson se SPB Tetovë vazhdon me aktivitete të përforcuara dhe kontrolluese, qëllimi i së cilës është që me kohë të zbulohen dhe mënjanohen nga qarkullimi automjetet jo të rregullta dhe shoferët dhe të kontribuohet në mënyrë të drejtpërdrejtë për siguri të rritur të rajonit.