Aurora Karameti
Në morinë e lajmeve që marrim dita-ditës lidhur me nevojën e reformimit të sistemit të kontaminuar të drejtësisë në vend, disa ditë më parë në media u dha lajmi se tashmë i paska ardhur radha edhe reformimit të shërbimeve sekrete. Sipas Alsat-m, mbi tryezën e “institucioneve kompetente” jane tri mundësi për të reformuar shërbimet në fjalë. Nisur nga përvoja personale, u bëj thirrje instancave që do të marrin vendimin përfundimtar, ta marrin në konsideratë mundësinë e dytë me radhë të deklaruar, atë të ndarjes së Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim nga Ministria e Punëve të Brendshme. Kjo ndarje do të ishte hap i një rëndësie primare dhe madhore në drejtim të reformave aq shumë të pritura në këtë sistem dhe poashtu një hap i rëndësishëm për të arritur atë që kryeministri i sotëm ka premtuar kur ishte në opozitë dhe në fushtën elektorale, « për jetën në Maqedoni ». DSK-ja duhet të nisë të funksionojë si ‘një organ i veçantë dhe i pavarur’. Vetëm ashtu ajo nuk do të fshihet më nën fustanin e MPB-së. Vetëm ashtu mund të nisë të pastrohet nga hijet e zeza të mafies shtetërore që ushqeu për më shumë se dhjetë vjet. Vetëm ashtu do të mund të dihen përgjegjësitë publike të të gjitha hallkave të sistemit. Vetëm ashtu do të mund të marrin frymë lirshëm të gjithë dhe të bëjnë pa frikë punën e tyre. Vetëm ashtu do të ketë një ditë « jetë në Maqedoni ».
Ky model që sot është parashtruar si një mundësi, duhet të aplikohet si zgjedhja më e mirë për disa arsye.
Së pari, vendi po jeton një periudhë post-traumatike nga rregjimi i VMRO-së. Këto shërbime janë helmuar deri në palcë përgjatë dhjetë viteve për ti shërbyer atij sistemi. Në të janë punësuar jo-profesionistë të çështjeve të sigurisë së shtetit por zhbirilues të jetës dhe aktivitetit të qytetarëve që bëjnë aktivitet intelektual, biznesor, politik etj. Këta zhbirilues dinë gjithçka për njerëzit që i vënë nën lupë dhe kanë dhënë prova se mund të prishin jetë njerëzish po të angazhohen sepse ata vetë « janë shteti dhe e kanë edhe gurin edhe arrën ». Ky terror psikologjik nuk i shkon më për shtat as edhe një ditë më shumë një shteti që aspiron Nato-n dhe BE-në. Prandaj një proces i domosdoshëm dhe urgjent katarsisi i shërbimeve sekrete duket më i mundshëm nëse ato do të ndahen nga policia. Vetingu, me duket i pamundur.
Së dyti, këto shërbime duke qenë nën ministrinë e punëve të brendshme, ndihen të plotfuqishme sepse këto dy njësi jetojnë si një trup dhe ndaj tyre njeriu nuk mund të ankohet dot. Të denoncosh dorën e majtë tek e djathta ; Kështu është po të shkosh në polici dhe të denoncosh një akt cënimi të banesës apo cënimi të personit, të kryer në fakt nga eksponentët e tyre civile. « Kush ishte? Nuk e njeh? Me siguri do të kenë qenë hajdutë…! Do ti kërkojmë dhe do ti kapim ». Në fakt, policia këta “hajdute” nuk i kap asnjëherë sepse ajo është guri dhe ata janë arra. Për të çmitizuar rolin e këtyre shërbimeve dhe për ti ulur me këmb në tokë duhet që ato të ndahen nga policia dhe tu tregohet se ato paguhen nga shteti për të qënë në shërbim të sigurisë dhe rrjedhimisht mirëqënies së qytetarëve pra vërtet të kenë funksionin që përshkruhet në media « policia sekrete pritet të shëndërrohet në […] organ preventiv në vend të funksionit aktual represiv, të ketë ndarje të qartë të kompetencave, autonimi në hetime, të depolitizohet dhe të jetë korrektor i politikës » (sipas Alsat-M).
Se treti. Unë personalisht jam firmëtare e gjithë peticioneve të intelektualeve të Maqedonisë kundër pushtetit diktatorial të Nikolla Gruevskit, jo fare pa frikë por me vendosmërinë për të bërë aq sa mundem që ai dhe klika e tij të binte. Unë jam gazetare në bazë dhe nuk mund të mbyll gojën edhe kur kam ndopak frikë. Sot po flas për këtë çështje konkrete sepse nuk mund të pranoj që frika të vazhdojë ta vrasi shpresën për jetë në këtë vend edhe kaq kohë pasi ne zgjodhëm një qeveri të re. Prandaj pyetja ime në këtë moment është: kush i udhëheq dhe kush i zbaton reformat në sistemin e sigurisë dhe të drejtësisë në vend?
Kam një dyshim të madh se këto reforma do të bëhen si duhet dhe do të jenë efikase ! Dhe ja përse : Me ardhjen e qeverisë së re në pushtet, pritshmëria ime, si edhe e shumë bashkëkombasve të mi, ishte e madhe. Prisja që Gruevski, Jankullovska, bosi i DSK-së dhe të tjerët si ata të dilnin në gjyq jo për një veturë dhe vogëlsira por për krimet e rënda, për qindra milionet e vjedhura nga ne dhe këto para të kthehen urgjentisht në arkën e shtetit. Prisja që këta të përgjigjen për dhjetëra të pafajshëm që kalben burgjeve, për proceset e montuara, shitura e urdhëruara gjyqësore, për hakmarrjet ndaj medias, për jetën e çdo shqiptari që vlente sa jeta e një pule ndërsa jeta e maqedonasit vlente sa jeta e një njeriu, për dy djemtë shqiptarë të vrarë nga polici me pistoletën e shtetit në Gostivar, për Almirin e vogël dhe prindërit e tij…Ne qytetarët jemi gjobitur sa rroga e një muaji për një gabim të vogël në trafik e bizneset janë djegur me gjoba marramendëse aq sa s’kanë ngritur më kokë, ndërsa banda kriminale shtetërore ende del në konferenca shtypi, tregon rregulla, kërkon të drejta…Ata të lirë, ndërsa ne, në mënyrë kolektive duhet me dekada të lajmë borxhet e krimeve të tyre ! Sot, unë përsëri flas për një çështje që shpresoja të mos më shqetësonte më : Mos ndoshta edhe reformën do ta lëmë të bëjnë njerëzit e tyre !?
Pas rastit te Almirit, rasti i Sopotit na tha të hënën edhe një herë se drejtësia funksionon ende sipas standardit të « majkës dhe njerkës » dhe jo njëlloj « za site gragjani ». Deklarata e Ministres së Drejtësisë për ata 11 njerëz të pafajshëm të dënuar me 156 vjet burg ishte jo vetëm pa ndjeshmërinë e nevojshme por edhe pa përgjegjësinë e nevojshme institucionale që duhet të mbartte në mënyrë konkrete dhe shpresëdhënëse për qytetarët e këtij vendi që duhet të « jetojnë në Maqedoni ». Znj. Ministre erdhi në pushtet me votat e këtyre shqiptarëve që dje ajo i dërgoi përsëri dyerve të gjykatave, ku le ti kalojnë edhe ca vite nëse kanë mundësi financiare e nëse s’kanë le ta harrojnë drejtësinë ; shteti nuk mbaka përgjegjësi për shkeljen të drejtave të njeriut nga shteti… !!! Koha, në këtë rast është element i parëndësishëm.
Kështu nuk vihet drejtësi. Gjykatat dhe shërbimet e gjithë këtij sistemi të korruptuar deri në kalbëzim unë i kam provuar ne lëkurën time, prandaj i njoh. I bëj thirrje Ministres së Drejtësisë që të mendojë më mirë para se të deklarohet dhe të veprojë më fuqishëm në ushtrimin e detyrave të saj. Më shtynë ta bëj këtë thirrje zhvillimet e fundit, që sa na japin shpresë të ecim një hap para menjëherë na dërrmojnë të kthehemi dhjetë hapa pas në besimin tonë se ky shtet po punon siç duhet, edhe për shqiptarët. Znj. Ministre, individi nuk është i detyruar ti njohë hapësirat ligjore, të paguajë avokat e po s’pati mundësi për këtë, të mendojë si jurist. Ju jeni juristja numër Një e këtij shteti! Ju tregojini rrugën qytetarëve tuaj ! Individi nuk mund të përplaset me makinerinë e një shteti të tërë ! Rasti i Sopotit mund të ishte një shembull i mirë për të treguar se hallkat e shtetit mund të funksionojnë, por jo. Ai na u përplas në fytyrë si shembull i keq i standarteve të dyfishta që aplikohen, si një shembull i keq për të shpresuar se do të pastrohet Drejtësia, DSK-ja, MPB-ja etj. Këta argumenta, shpresoj ti ngacmojnë sadopak organet e larta të shtetit të veprojnë jo kaq ngadalë por shumë shpejt për të reformuar gjithë sistemin : MPB, DSK, MD etj., për të shmangur rastet e trajtuara etnikisht si edhe për të na shpëtuar nga gjykatësit banditë dhe urithët e tjerë që mbajnë veshtur rrobën e shtetit. Vreme é për drejtuesit e rinj të shtetit të sigurojnë sigurinë tonë meqë tashmë e siguruan veten e tyre.