Raportimi për ngjarjen në Kosovë, për rastin e Marigonës, ka shpërfaqur dukurinë negative edhe në mediat maqedonase – ngjarjen e transmetuan me ngjyrime etnike, vlerëson profesori universitar, Sefer Tahiri në “10 Minuta” në TV21.
Ai thotë se mediat në Maqedoninë e Veriut, si ata maqedonase, por edhe shqiptare ngjyrimet etnike ia mveshin ngjarjeve negative, ndërkaq kur raportojnë për suksese për qytetarë të caktuar të Maqedonisë së Veriut, në këtë rast bëjnë një barasvlerësim të identiteti shtetëror dhe nacional.
“Tentimi për ta paraqitur këtë ngjarje me ngjyrime etnike, tregon se kur është fjala për ngjarje negative, identiteti i personave të përfshirë vjen në shprehje, apo theksohet. Kur është fjala. Kur vjen fjala të tregojnë rezultate të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, mediat maqedonase thonë se kampionë janë maqedonasit, qoftë në mundje, qoftë në futboll. Për shembull, për futbollistin Enis Bardhi ata thonë futbollisti maqedonas ose futbollisti i Maqedonisë së Veriut duke e theksuar ose duke e bërë një barasvlerësim të identitetit shtetëror me atë nacional. Kjo ndodh në të shumtën e rasteve edhe me mediat shqiptare. Kur flitet për ndonjë futbollist të theksohet identiteti etnik, pra futbollisti shqiptar Enis Bardhi”, sqaron më tej Tahiri.