Kryeministri dhe kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev beson se ndryshim të pushtetit në zgjedhjet e paralajmëruara për më 12 prill nuk do të ketë, sepse ai nuk do të lejojë, siç thotë, të kthehet regjimi; lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski konsideron se partia e tij nuk duhet të zhvillojë kurfarë fushate të posaçme negative, sepse, siç thekson, pushteti zhvillon fushatë të tillë çdo ditë me veprimet e veta, përderisa i pari i BDI-së, Ali Ahmeti potencoi se gara politike do të duhej të zhvillohej në drejtim të përmirësimit të jetës së përditshme të njerëzve.
Liderët e tre partive, të cilët këto ditë bisedojnë rreth formimit të qeverisë teknike, e cila duhet të zgjedhjet më 3 janar, në deklaratë për MEDIAL-n folën për disa tema, mes të cilave edhe për pritjet e tyre nga zgjedhjet e ardhshme, sa ato do të jenë demokratike, duke pasur parasysh atë se ka paralajmërime për “bomba” të reja dhe për atë nëse hapet mundësia për fushatë të përforcuar negative.
“Së pari, ndryshim të pushtetit nuk do të ketë. Kur e them këtë, nuk e them nga pozita e shqetësimit partiak të fitojmë edhe katër vite. E them sepse kam përgjegjësi të plotë – të mos lejoj të kthehet regjimi. Kuptohet, qytetarët në zgjedhje të lira do të sjellin vendim, por unë më se fuqishëm do të luftoj dhe do të angazhohem të tregoj në mënyrë më plastike, më ilustrative, më dramatike çka do të ndodhë nëse kthehet regjimi”, thotë Zaev në deklaratë prë MEDIAL-n.
Thekson se atë që e paralajmëron opozita është kërcënim se do të prishet Marrëveshja e Prespës, që, siç potencoi, do të thotë se vendi do të sillet në situatë të përjashtohet nga NATO-ja dhe të hyjë në situatë tërësisht të paqartë të problemeve me fqinjët dhe trazirave të brendshme.
“Nuk do të lejojmë të ndodhë kjo. Unë, LSDM-ja, partitë e afërta me politikat tona, shumica e qytetarëve me përgjegjësi – nuk do të lejojmë të ndodhë kjo. T’i përgjigjem pyetjes suaj: Nuk frikësohem nga ‘bombat’. Përkundrazi, i inkurajoj t’i publikojnë, sepse unë di se nuk ka se për çka të frikësohem”, thekson Zaev për MEDIAL-n.
Lideri i VMRO-DPMNE-së Mickoski, i cili dje pati takime të ndara edhe me Zaevin edhe me Ahmetin rreth zgjidhjeve kadrovike për qeverinë teknike, në pyetjen e njejtë u përgjigj se në nivel ditor ka aq shumë skandale dhe se sipas tij Qeveria tashmë edhe nuk po mbrohet nga skandalet.
“Shikoni, ka aq shumë skandale në nivel ditor që mendoj se tashmë do të ishte ditë e pazakontë po të mos kishte ndonjë gjë për të cilën nuk do të habiteshin për shkak të skandalozitetit që e bën pushteti. Mendoj se puna eerdhi deri aty, që edhe qeveria tashmë nuk po mbrohet nga skandalet e dukshme, sepse anija po u fundoset”, u përgjigj Mickoski.
Sipas tij, VMRO-DPMNE nuk duhet të zhvillojë fushatë të posaçme negative për zgjedhjet e ardhshme, sepse të tillë po zhvillon pushteti çdo ditë me aferat e reja.
Për kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, shoqëria jonë duhet të pjeket dhe ta tejkalojmë atë që ndodhi para tre dhe katër viteve, të mos përsëritet asnjëherë.
“Gara politike do të duhej të ishte për përmirësim të jetës së përditshme dhe jetës së njerëzve. Ne si subjekt asnjëherë nuk kemi zbatuar fushatë negative, bomba, lajme të rrejshme, por kemi qenë dhe ende jemi subjekt i propagandës, lajmeve të rrejshme. Ne do të dalim me parti tërësisht të reformuar dhe program plotësisht të ri, modern dhe inkurajues me qëllim që ta marrim sërish besimin e qytetarëve”, thekson Ahmeti për MEDIAL-n.
Tre liderët u përgjigjën edhe në pyetje lidhur me nevojën e qeverisë teknike njëqind ditë para zgjedhjeve, sa kontribuon kjo për demokratizimin e shoqërisë, për stagnimin e mundshëm të biznesit dhe sferave të tjera në ato 100 ditë, por edhe për drejtimet e koalicionimeve paszgjedhore. .



