Pep Guardiola është i njohur për fjalët e tij të papritura gjatë konferencave për shtyp, dhe këtë e dëshmoi edhe një herë përpara një përballjeje të nxehtë të Premier League midis Manchester City dhe Arsenal. I pyetur për luftën për titullin e Premier League, trajneri spanjol i qortoi me sarkazëm rivalët e tij londinezë dhe Liverpoolin.
Artetës dhe Slot po u fishkëllejnë veshët…
Sipas tij, nëse Mikel Arteta ose Arne Slot do ta ngrinin trofeun në fund të sezonit, kjo nuk do të ishte falë punës së tyre, apo cilësisë së brendshme të skuadrave të tyre, por thjesht për shkak të shpenzimeve të tyre masive në tregun e transferimeve.
“Dua t’i them vetëm mikut tim Mikel Arteta, nëse ai fiton titullin, do të jetë vetëm sepse ka shpenzuar, jo sepse ka punuar më shumë ose për shkak të lojtarëve të tij”, tha Guardiola me forcë, përpara se të shtonte menjëherë: “Është si Liverpooli. Nëse Arne Slot fiton përsëri, do të jetë sepse ka shpenzuar shumë para. Apo jo? Sepse nuk ndodh vetëm te Manchester City, apo jo? Pra, për të gjithë.”
Ish-lojtari dhe trajneri i FC Barcelonës nuk e kupton pse nuk merr më shumë merita nga shtypi dhe publiku, të cilët vazhdimisht e akuzojnë për shumat kolosale të shpenzuara nga City, ndërsa konkurrentët e tij do të përfitonin nga një trajtim më i butë nga media. “Shikoni, për shumë, shumë vite, secili klub ishte në gjendje të bënte atë që donte. E dini?
E di që ata trajtoheshin ndryshe, por nëse duan të shpenzojnë, është sepse duan, dhe kjo është normale.” Liverpool investoi gati 504 milionë euro këtë verë për të rimodeluar skuadrën e tyre, ndërsa Arsenali vendosi 286 milionë euro në tavolinë. Manchester City nuk është shumë prapa, me rreth 401 milionë euro të shpenzuara në vitin 2025, pasi kishte rekrutuar shumë lojtarë në janar.
Pas kritikave, lëvdata për Artetën…
Pavarësisht tonit të tij qëllimisht të ashpër, Guardiola nuk dështoi të lavdëronte punën e ish-ndihmësit të tij. “E tëra çfarë mund të them është se ata ishin të mençur. Ata shpenzuan atë që mendonin se mund të bënin, e dini, për të konkurruar me ekipet më të mira në Premier League dhe në Evropë, dhe arritën atë nivel”, pranoi ai.
Ai përfundoi, duke theksuar rrugën e ndjekur nga Arsenali: “Pra, ai gjeti, mendoj, një ekip në atë mënyrë, një klub, dhe hap pas hapi, dritare pas dritareje, hap pas hapi, Arsenali po përmirësohet. Sezonin e kaluar në Evropë, ata bënë përparim të jashtëzakonshëm dhe, për mua, janë ekipi më i fortë. Ata nuk bëjnë gabime në mbrojtje dhe ky ekip është jashtëzakonisht i fortë.”
B.T (Dosja.al)