Kandidati i përbashkët për president i LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski, sot në tribunë në Kërçovë, tha se qyteti është shembull për unitet dhe bashkim të llojllojshmërive dhe u bëri thirrje qytetarëve nga të gjitha bashkësitë etnike ta shfrytëzojnë votën e tyre dhe të zgjedhin përparim për ardhmëri të sigurtë në NATO dhe BE.
Pendarovski potencoi se këtu shumë mirë e dinë se çka do të thotë uniteti, bashkëjetesa dhe si kjo shprehet në përparimin.
Për këtë shkak, siç tha, shumica do të votojë për obsionin i cili e çon Maqedoninë e Veriut përpara, e jo si obsioni tjetër, i cili dëshiron të na kthejë prapa në të kaluarën e errët.
“Po kalon java e fundit, para vendimit në zgjedhje. Vota e jonë vendos, nëse Maqedonia e Veriut do të shkojë përpara drejt ardhmërisë së sigurtë në NATO dhe BE ose do të kthehet prapa. Nëse do të përcaktohemi për obsionin, i cili sjell jetë më të mirë, investime të reja, vende të reja të punës, perspektiva për të rinjtë. Ju dini se një nga problemet më të mëdha është shpërngulja e të rinjve. Me ftesën për NATO dhe BE, qindra milionë euro, do të jenë të qasshme dhe hapin perspektiva të reja që të rinjtë këtu të jetojnë, të punësohen, fëmijë dhe nipërit tanë të jenë këtu afër nesh”, tha Pendarovski.
Ai bëri thirrje që qytetarët nga të gjitha bashkësitë etnike ta shfrytëzojnë votën e tyre, dhe të marrin vendim, në interes të ardhmërisë së shtetit, sigurisë dhe stabilitetit, të zgjedhin përparim.
“Për rritje të përforcuar ekonomike, zhvillim më të fuqishëm dhe jetë më dinjitoze, të vazhdojmë së bashku përpara”, tha Pendarovski.


