Kënaqësi nga bashkëpunimi i shkëlqyer midis Maqedonisë së Veriut dhe Izraelit në planin dypalësh dhe shumëpalësh kanë shprehur në takimin e sotëm në Jerusalem presidentët e të dyja vendeve Stevo Pendarovski dhe Reuven Rivlin. Në këtë rast kanë shkëmbyer informacione dhe mendime për gjendjen në Ballkan dhe për rajonin e Lindjes së Mesme.
Presidenti Pendarovski, siç bëri të ditur Kabineti i tij, duke shprehur falënderim për ftesën që të marrë pjesë në forumin e liderëve, ka theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut krahas nderit të treguar ka edhe obligim në nivel më të lartë të jetë e pranishme në Izrael, në Forumin me rastin e 27 janarit të Ditës Ndërkombëtare për Përkujtim të Holokaustit dhe 75 vjetorit të çlirimit të kampit nazist të vdekjes Aushvic-Birkenau.
Pendarovski theksoi se të dyja shtetet e ndajnë tragjedinë e Holokaustit në të cilin u vranë mijëra hebrenj të shtetit tonë, që paraqet humbje të pazëvendësueshme për ne. Presidenti e theksoi rolin e komunitetit hebraik në Republikën e Maqedonisë së Veriut duke shfaqur bindje se ajo edhe më tej do të vazhdojë ta japë kontributin e saj aktiv për zhvillimin e përgjithshëm të shtetit, si dhe në kultivimin e marrëdhënieve të mira midis të dyja vendeve.
Siç është theksuar në kumtesë, Pendarovski ka informuar se nga dhjetori i vitit 2019 Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e Asociacionit të Aleancës ndërkombëtare për Përkujtim të Holokaustit dhe do të angazhohet të bëhet anëtare e plotfuqishme në vitin 2021.
Ai shprehu falënderim për mbështetjen që Shteti i Izraelit ia jep Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar, që nga pavarësia jonë, duke shtuar se ekzistojnë mundësi për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik.
Presidenti Pendarovski, sot dhe nesër në Jerusalem do të marrë pjesë në forumin e liderëve me rastin e 27 janarit të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit dhe 75 vjetorit të çlirimit të kampit nazist të vdekjes Aushvic-Birkenau.



