Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka deklaruar të dielën se propozimi i ri francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë është i pranueshëm pasi sipas tij, bëhet fjalë për një “kompromis kalimtar”, për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
“Ne nuk duhet të presim që dikush të na bllokojë, por ne duhet menjëherë të tërhiqemi nga bisedimet. Këtë e them sepse e dimë se me kë kemi punë”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.
Kreu i shtetit tha se beson se me propozimin e modifikuar francez nuk rrezikohen çështjet që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas dhe se nuk mund të bëhet fjalë për bullgarizimin e maqedonasve, siç pretendojnë opozita dhe personalitete tjera politike dhe akademike në Maqedoninë e Veriut.
“Frika te një pjesë e maqedonasve se në BE do të hyjmë vetëm si bullgarë, nuk qëndron. Si mundet që një maqedonas të bëhet bullgar?… Në historinë e diplomacisë botërore nuk ekziston diçka e tillë, se me marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe dikush brenda natës ju ndërron identitetin”, ka deklaruar Pendarovski.
Ai shtoi se vendimi për të pranuar propozimin e modifikuar francez, “nuk është as triumf historik apo dështim dhe mossukses”.
“Konsideroj se bëhet fjalë për një kompromis kalimtar për njërën nga fazat e integrimit evropian, që ka tri elemente të rëndësishme dhe për mua në këtë fazë është i pranueshëm”, tha Pendarovski.
Ndërkohë lidhur me propozimin francez, kryeministri Dimitar Kovaçevski të dielën ka takuar edhe liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, në kuadër të konsultimeve me partitë politike dhe faktorët e tjerë në vend.
Kryeministri Kovaçevski ka vlerësuar se propozimi i modifikuar francez “nuk rrezikon as gjuhën e as identitetin maqedonas dhe është mundësia e vetme për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian” , ndërkohë që kryetari i VMRO DPMNE-së, mbetet në qëndrimin se “propozimi i ri nuk dallon nga i pari në përmbajtje, e cila është e dëmshme për interesat kombëtare dhe shtetërore maqedonase”.