Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar se vendi i tij çdo herë ka marrë mbështetjen maksimale nga Türkiye që nga fillimi i viteve të 90’ta me pavarësinë e Maqedonisë së Veriut e deri më sot, duke e ndihmuar vendin në rrugën e saj të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe me investime të shumta në fushën e ekonomisë.
Duke folur për Anadolu Agency (AA) me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe Türkiye-s, e cila shënohet të premten më 26 gusht, presidenti Pendarovski thotë se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në një “nivel jashtëzakonisht të lartë”.
Ai thekson se në pjesën politike ky kualifikim vazhdon që nga viti 1991-1992 kur Maqedonia e Veriut shpalli pavarësinë, ndërsa sa i përket pjesës ekonomike, siç thotë presidenti, bashkëpunimi është rritur në fillim të viteve 2000 pasi “në vitet e 90’ta kishte një hapësirë të madhe për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, sepse biznesi turk nuk ishte i pranishëm sa duhej në Maqedoninë e Veriut”.
“Si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, edhe në bashkëpunimin tonë në organizatat ndërkombëtare, çdo herë kemi marrë mbështetjen maksimale nga Türkiye dhe anasjelltas. Mendoj se nuk mund të jetë ndryshe duke marrë parasysh lidhjet historike që kemi, me diasporën e madhe që nga këtu është shpërngulur në Türkiye dhe anasjelltas, mendoj si urë bashkëpunimi. Dhe, të gjitha supozimet janë që ai bashkëpunim të zhvillohet më tej në interes të të dy vendeve dhe të të dy popujve”, shprehet Pendarovski.
Presidenti maqedonas thekson se roli i Türkiye-s, veçanërisht në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, ishte i madh pasi që Türkiye është një anëtare e hershme e aleancës. Ai merr si shembull dokumentet e NATO-s, të cilat që nga kandidatura fillestare e Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në NATO në vitin 1999 i referoheshin vendit si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, por kudo poshtë qëndronte edhe fusnota ku thuhej “Türkiye njeh këtë shtet me emrin Republika e Maqedonisë”.
“Është e qartë se mbështetja politike, etablimi ndërkombëtar i dukshëm dhe i gjerë, ishte i padiskutueshëm nga ana e Türkiye-s, të gjitha ato vite, edhe sot e kësaj dite është ashtu”, thekson Pendarovski.
“Ka edhe shumë gjëra për të mësuar nga Türkiye”
Pendarovski lavdëroi Türkiyen si “anëtare e hershme e komunitetit ndërkombëtar”, duke përmendur edhe atë se vitin e ardhshëm Türkiye do të festojë 100-vjetorin e ekzistencës që nga viti 1923.
“Türkiye ka një traditë të vjetër që nga kohërat e lashta dhe është një nga shtetet më të vjetra me kulturat dhe traditat më të vjetra, ka diplomatët më të vjetër, kështu që ka edhe shumë gjëra për të mësuar nga Türkiye, atë si u strukturua një organizim shtetëror, një shtet në strukturë”, thotë Pendarovski.
Ai po ashtu përmendi se Türkiye është ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991 dhe që dërgoi ambasadorin e saj në Shkup, momente të cilat presidenti maqedonas i cilësoi si “më emocionale” në marrëdhëniet midis dy vendeve, duke përfshirë edhe “momentet më thelbësore në fushën politike për etablimin e qeverisë dhe shtetit maqedonas në atë periudhë”.
“Çdo e katërta kompani e huaj në Maqedoni të Veriut është me kapital turk”
Më tej, presidenti Pendarovski foli edhe për marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike midis Türkiye-s dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se që nga fillimi i viteve 2000 “papritur” filloi një rritje e vëllimit të shkëmbimit tregtar.
“Shkëmbimi tregtar midis dy vendeve gjatë vitit të kaluar ishte rreth 780 milionë euro. Të dhënat e fundit që i kam, që janë përpunuar nga zyra jonë e statistikave, thonë se vetëm në tremujorin e parë të këtij viti me Türkiye-n kemi mbi 250 milionë euro në të dy drejtimet”, thekson Pendarovski, duke shtuar se nëse ky trend vazhdon edhe në tremujorët e tjerë të këtij viti shkëmbimi tregtar midis dy vendeve do të arrijë në mbi 1 miliard euro.
Duke iu referuar investitorëve të huaj, Pendarovski njoftoi se në Maqedoninë e Veriut ka rreth 1.350 kompani të huaja, prej të cilave një pjesë e madhe janë investitorë turq. Ai thotë se për vendin e tij është domethënëse ajo që investitorët turq vijnë këtu si në një nga destinacionet më tërheqëse të tyre dhe thekson se ky trend po shkon “vetëm përpjetë”.
“Sa i përket investitorëve, është një fakt interesant. Në Maqedoni ka rreth 1.350 kompani me kapital të huaj, përkatësisht kompani që janë me kapital tërësisht të huaj apo kapital dominues të huaj. Çdo e katërta ka kapital turk, respektivisht në këto 1.350 kompani çdo e katërta ka kapital tërësisht ose dominues turk. Kështu që llogaritni sa është e madhe prania e investitorëve turk tek ne”, shprehet Pendarovski.
Ai shton se ministritë dhe agjencitë kompetente të vendit të tij po punojnë në thellimin e këtij bashkëpunimi, edhe atë praktikisht në sektorë të ndryshëm. Siç thotë ai, shkëmbimi tregtar me Türkiye-n është i larmishëm dhe nuk ndërlidhet vetëm me një sektor ekonomik.
“Nga industria deri në turizëm, praktikisht kudo ende ekziston do të thoja ‘xhepa të mëdhenj’ të mundësive të pashfrytëzuara për të përmirësuar atë bashkëpunim. Duke pasur parasysh se ka vullnet të qartë politik në të dy anët, në të dy vendet, nuk kemi asnjë problem politik me njëri-tjetrin që do të vononte apo kufizonte atë zhvillim, mendoj se në fusha të ndryshme do të vërejmë vetëm rezultate në rritje dhe pozitive”, thekson Pendarovski.
“Türkiye në Ballkan nuk ka pasur ndonjë ndikim që do t’i ndante popujt e rajonit”
Më tej, Pendarovski vlerëson se nga perspektiva e Maqedonisë së Veriut nuk ka asnjë çështje të hapur që rëndon marrëdhëniet dypalëshe midis Ankarasë dhe Shkupit. Megjithatë, shton ai, edhe nëse pyetet cilido politikan turk apo presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, do të thoshte “formulimin e ngjashëm”.
“Është fakt se nuk ka çështje (të hapur). Mendoj se edhe miqtë tanë turq do të pajtohen me këtë. Nuk ka çështje që i rëndon marrëdhëniet në atë masë saqë të themi nëse nuk e zgjidhim këtë më tej vështirë se do të kemi këto trende pozitive siç i kishim deri më tani. Unë nuk shoh ashtu çështje (të hapura). Mendoj se jemi këtu në një konsensus me miqtë tanë turq”, shprehet ai.
Sipas presidentit maqedonas, Türkiye në Ballkan ka pasur, ka dhe do të ketë një rol mjaft konstruktiv, ndërkohë që rolin e Türkiye-s në Ballkan ai e vlerësoi si pozitiv. Siç thekson Pendarovski, Türkiye ka një qasje të ekuilibruar ndaj të gjithë Ballkanit, pavarësisht përkatësisë fetare apo etnike të vendit.
“Türkiye në Ballkan nuk ka pasur ndonjë rol apo ndikim që do t’i ndante popujt e rajonit. Kurrë nuk ka qenë për disa dhe kundër të tjerëve. Për shembull, Türkiye si një shtet me shoqëri dominuese muslimane ka mjaft vizita, investime dhe bashkëpunim të shkëlqyer të themi me Serbinë. Pra, nuk mund të themi se Türkiye është e kthyer vetëm nga Bosnjë e Hercegovina, siç mendojnë disa, ajo tekstualisht (është e kthyer) nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë të barabartë”, thotë Pendarovski.
Për marrëveshjen e grurit ukrainas, “pak njerëz besuan se diçka e tillë është e mundur”
Presidenti i Maqedonisë së Veriut foli edhe për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe rolin ndërmjetësues të Türkiye-s. Ai thekson Rusia është agresori i padiskutueshëm në Ukrainë, por sipas tij, vetëm pak njerëz dhe shtete ka në botë që mund të bisedojnë me presidentin rus, i cili “është arkitekti kryesor i këtij sulmi ndaj Ukrainës”.
“Në marrëveshjen e fundit për eksportin e grurit dhe drithërave ukrainase, që u arrit pas orëve e ditëve negociatash midis palëve ruse dhe ukrainase, Türkiye ishte ndërmjetësues. Pra, në këtë moment, nuk besoj se ka pasur një vend tjetër në botë që mund të mbajë marrëdhënie të barabarta si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë për të mirën e të gjithëve. Pra, mund të shkaktohej uri e madhe në disa pjesë të botës, veçanërisht në Afrikë, nëse ajo nuk bëhej”, thekson Pendarovski.
Sipas presidentit, marrëveshja për eksportin e grurit ukrainas është vetëm dëshmi se angazhimi personal i presidentit Erdoğan dhe e gjithë diplomacisë turke, por edhe imazhi i Türkiye-s si shtet, janë vlerë e lartë në botë që mundësuan arritjen e një marrëveshje të tillë.
“Pak njerëz besuan se diçka e tillë është e mundur. Unë isha një nga ata që ishin të rezervuar pasi e di sa është e vështirë apo mund ta paramendoj sa është e vështirë të negociosh me Putin-in”, shprehet ai.
Türkiye, shembull për vendet e tjera kur bëhet fjalë për çështjet historike
Duke përshëndetur miqtë turq, presidenti i Maqedonisë së Veriut shprehu dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston në të gjitha fushat në periudhën e ardhshme. Ai theksoi se Türkiye mund të shërbejë si shembull për vendet e tjera kur bëhet fjalë për çështjet historike.
“Ne kemi bashkëpunim të madh në fushën e arsimit, të kulturës, për shkak të, siç është në modë tani të thuhet, ‘historisë së përbashkët’ prej shumë shekujve të mëparshëm apo historisë që e ndajmë si kombe. Türkiye ka qenë e pranishme prej shekujsh në këtë rajon. Dhe, ndoshta është interesante të thuhet në fund, Türkiye në kuadër të Perandorisë Osmane ishte e pranishme në Ballkan për disa shekuj, por Türkiye e sotme sillet në mënyrë moderne ndaj rajonit ku dikur ishte sundues. Dhe kjo duhet të jetë shembull për shumë vende të tjera në botë, jo vetëm në rajon. Çfarëdo që ka ndodhë, historia le të mbetet në arkivat historike, sot duhet të bashkëpunojmë”, tha Pendarovski.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse është tejkaluar pjesa më e vështirë në negociatat me Bullgarinë fqinje, presidenti Pendarovski tha se kjo varet nga sjellja e Sofjes zyrtare.
“Kjo deri më tani ka qenë shumë e vështirë. Akti i fundit, sidomos, në fillim të negociatave. Derisa e kemi bërë atë kompromis, e dini, kemi pasur shumë rezistencë nga qytetarët, nuk ka qenë e lehtë. A do të jetë më e vështirë në të ardhmen, varet vetëm nga sjellja e Sofjes zyrtare”, tha Pendarovski.
Ai theksoi se pala maqedonase ka kufij dhe vija që nuk mund t’i shkelë.
“Nëse Sofja zyrtare do të vazhdojë në periudhën e ardhshme me retorikën me të cilën u paraqit në pjesën më të madhe të dy viteve të fundit, në të cilën përpiqet të vendosë dilema dhe çështje të identitetit në tavolinë, të cilat sot nuk diskutohen në të gjithë botën. Ti je ajo që dëshiron të jesh dhe kjo është punë e kryer, fund. Është një e drejtë themelore e njeriut. Pra, nëse miqtë dhe kolegët tanë në Sofje vendosin të sillen në mënyrë evropiane, mendoj se ne mund ta kalojmë gjithë këtë proces jashtëzakonisht shpejt, kështu që në 4-5 vjet të përfundojmë të gjitha negociatat”, tha Pendarovski.
“Ne u harruam nga Bashkimi Evropian”
Duke folur për rrugën e deritanishme evropiane të Maqedonisë së Veriut, Pendarovski tha se nuk është i kënaqur duke pasur parasysh se negociatat për anëtarësim po fillojnë pas 17 vitesh pritje me status të kandidatit.
“Ne praktikisht u harruam nga BE-ja dhe me një sërë shantazhesh ndërkohë, falë Zotit arritëm disi të bënim një lloj kompromisi me Republikën e Bullgarisë, me ndihmën e presidencës franceze dhe filluam negociatat. Nëse shikoni prapa, nga viti 2005 jemi me statusin e kandidatit dhe tek tani fillojmë negociatat, askush nuk mund të thotë se jemi shumë të suksesshëm në këtë drejtim”, tha Pendarovski.
Sipas presidentit, shkaku i pritjes nuk ishte edhe aq shumë mungesa e reformave, por edhe bllokimet e hapura nga vende anëtare të BE-së. Ai gjithashtu pohon se “disa vende evropiane nuk ishin të interesuara për rajonin e Ballkanit”.
“Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova janë shtete absolutisht të harruara, absolutisht të harruara. Kosova nuk mund të marrë liberalizimin e vizave. Dhe tani çfarë entuziazmi dëshironi nga ajo popullatë, të jetë për Bashkimin Evropian?”, theksoi Pendarovski.
Duke kujtuar se Mali i Zi dhe Serbia kanë 10 vjet që negociojnë për anëtarësim në BE, ai thekson se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në pritje të avancimit drejt BE-së.
“Bosnjë e Hercegovina është vendi që objektivisht ka vuajtur më shumë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, me më shumë viktima, mbi 100 mijë të vdekur dhe nuk e di, disa thonë mbi 2 milionë të shpërngulur. Ata nuk munden të përparojnë për shkak të kontradiktave të brendshme të njohura. Por edhe Evropa, sepse disa shtete janë më afër njërit entitet, të tjerat me entitetin tjetër, nuk ia zgjatën dorën për t’i nxjerrë nga humnera të cilës po i afrohen”, tha Pendarovski.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut thotë se si pasojë e kësaj situate po shpërngulen të rinjtë nga i gjithë Ballkani, duke shtuar se asnjë vend sot nuk ka aq banorë sa kishte 20-30 vjet më parë.
Presidenti është skeptik se ndryshimet kushtetuese do të miratohen në këtë përbërje parlamentare
Presidenti Pendarovski u përgjigj edhe në pyetjet që kanë të bëjnë me politikën e brendshme, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve kushtetuese që dalin nga protokolli bilateral i nënshkruar me Bullgarinë.
Ai është skeptik se opozita aktuale në parlament ka disponim për të votuar ndryshimet kushtetuese. Pendarovski konsideron se qëndrimi i opozitës është i imponuar nga logjika e brendshme partiake.
Sipas tij, në dokumentet e nënshkruara deri më tani me Bullgarinë nuk ka rrezik për identitetin dhe gjuhën maqedonase.
“Nuk mund të detyrosh askënd (të votojë) nëse opozita aktuale mendon se këto dokumente janë rrezik për popullin maqedonas. Unë nuk mendoj kështu. Vlerësimi im është se do të jetë shumë e vështirë të arrijmë dy të tretat në këtë përbërje parlamentare pasi që, me sa mund të gjykoj unë, opozita në parlamentin e Maqedonisë (së Veriut) e lexon marrëveshjen me Bullgarinë, gjegjësisht kornizën negociuese me BE-në, përmes dioptrave partiake”, tha Pendarovski.
Duke folur për polarizimin politik në Maqedoninë e Veriut, ai thotë se nuk mund të arrihet konsensus as për çështje strategjike siç është integrimi evropian.
“Dy blloqet kryesore politike janë shumë larg njëri-tjetrit dhe polarizimi është kaq i madh dhe realisht nuk besoj se këtu ka një vullnet minimal, në radhë të parë për shkak të sjelljes së opozitës për të rënë dakord për 2-3 gjëra strategjike”, thotë Pendarovski.
Duke pasur parasysh polarizimin politik, presidenti Pendarovski nuk beson se mund të ndihmojë një takim i mundshëm i liderëve politikë i iniciuar nga kabineti i presidentit.
“Në parim, nuk besoj se për atë që nuk mund të pajtohet në institucione, do të pajtoheni në një takim liderësh”, tha Pendarovski.