Pendarovski: Pandemia Covid-19 mbetet rreziku më i madh për njerëzimin

Pendarovski: Pandemia Covid-19 mbetet rreziku më i madh për njerëzimin

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski ka mbajtur fjalim në sesionin special të Kuvendit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, kushtuar pandemisë më Kovid-19. Pendarovski në fjalim thekson se pandemia mbetet rreziku më i madh për njerëzimin.

– Advertisment –

“Me dimensionet e saj shëndetësore, ekonomike, sociale, humanitare dhe të sigurisë, pandemia ka testuar vendet tona në mënyra të papara dhe na kujtoi se sa të lidhur jemi me njëri-tjetrin. Me vuajtjet që shkakton, pandemia ka ekspozuar dobësitë sistematike dhe pabarazitë në botën tonë”, tha mes tjerash Pendarovski.

Pendarovski ka falënderuar vendet mike, Kombet e Bashkuara dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë për ndihmën për të kontrolluar dhe kufizuar përhapjen e KOVID-19,

“Një kërcënim sistemor siç është pandemia kërkon një përgjigje sistematike që përfshin veprime të menjëhershme dhe afatgjata. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar sisteme shëndetësore të forta, të menaxhuara mirë, të përgjegjshme, llogaridhënëse me fokus njeriun. Produktet shëndetësore me cilësi të certifikuar duhet të jenë në dispozicion për të gjithë. Sigurisht, një hap i madh në drejtimin e duhur ishte krijimi i programit global të furnizimit të vaksinave COVAX, i cili duhet të sigurojë qasje të lehtë dhe të ekuilibruar te vaksinat për të gjithë njerëzit në botë”, tha Pendarovski.

I pari i vendit përmendi edhe sfidat me të cilat pritet të përballen të gjitha vendet në periudhën post-pandemike.

“Rruga drejt rimëkëmbjes socio-ekonomike, madje edhe mendore do të jetë e gjatë dhe e komplikuar për shumicën prej nesh. Njerëzimi duhet të rimëkëmbet në mënyrë që të rinovojë botën në të cilën asnjë qenie njerëzore nuk do të anashkalohet”, deklaroi Pendarovski.

Pendarovski në fjalimin e tij gjithashtu shprehu shqetësimin për dukuritë tjera negative si racizmi, ekstremizmi, diskriminimi dhe ksenofobia.