Alsat 2019-08-12T15:13:05+02:00
Presidenti Stevo Pendarovski është i dëshpëruar nga prokurorja speciale Katica Janeva dhe u bën thirrje institucioneve që ta përfundojnë procedurën, siç tha ai, ndaj aferës së madhe të krimit “Reket”, e cila po lëkund themelet e institucioneve të shtetit dhe vendos në pikëpyetje besimin e qytetarëve tek politikanët dhe ndaj shtetit. Në vend të kësaj, autoritetet kanë shkuar për pushime sikur të jetë gjendje e rregullt, kritikoi Pendarovski.
Unë si qytetar, si njeri e jo si president, jam i dëshpëruar…. Janë dëshpëruar edhe pritjet e mia, madje, më së shumti nga njerëzit prej të cilëve prisnim që të luftonin për shtet të së drejtës. Si president i të gjithë qytetarëve, kërkoj përfundim të shpejtë, efektiv dhe në themel të hetimit, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë. E dyta, nëse ka prova, le të ngrihen aktakuza për të gjithë, pa marrë parasysh a janë bartës të funksioneve publike apo jo. E treta, përveç përgjegjësisë penalo-juridike nëse ka apo çfarëdo ndërlidhje me rastin, në kuptim të dhënies së mbrojtjes për personat nën hetime, këmbëngul në përgjegjësi politike, pa marrë parasysh a janë nga pushteti apo opozita, të gjithë ata, emrat e të cilëve janë përmendur, qëllimisht apo jo, me vet-iniciativë të japin deklaratë para prokurorit kompetent, me qëllim që të dëshmojnë se para ligjeve të gjithë jemi të barabartë. Dhe e katërta, si president, ofroj mbështetjen time të plotë për institucionet kompetente për mbrojtjen e sigurisë nacionale, qoftë nga brenda apo nga jashtë- deklaroi Stevo Pendarovski.
Pendarovski pret që mediat të rrisin monitorimin e lajmeve të rreme pasi ato synojnë të minojnë besimin e qytetarëve dhe institucioneve shtetërore. Sidoqoftë, ai beson se Prokuroria Speciale Publike i duhet shtetit. Sipas kreut të shtetit, të gjitha hetimet e kaluara nuk mund të shpallet si jo-legjitime, edhe nëse dëshmohet përgjegjësi tek ndonjë prokuror.
PSP-ja e pozicionuar brenda Prokurorisë së rregullt, duhet të vazhdojë të hetojë krimin edhe të pushtetit të kaluar edhe të atij aktual. Nuk janë të korruptuar të gjithë prokurorët në PSP apo në Prokurorinë Publike… pjesa më e madhe janë profesionistë në punën që kryejnë, por rolin kryesor duhet ta luajnë politikanët, dhe unë shoh gabimin që ka bërë një gjeneratë politikanësh që nuk ia arritën të krijonin një mjedis ku gjyqësori do ta bënte punën e vet me ndershmëri- theksoi Stevo Pendarovski.
Pendarovski tha se nuk është dëgjuar me kryeministrin Zaev, që nga fillimi i aferës “Reket”, ndërkohë që sqaroi se me të dyshuarin kryesor, Bojan Jovanovskin është takuar dy herë, një herë në kampin e lirisë dhe herën e dytë kur ka qenë në intervistë në televizionin e tij.
Vesna Velkova
Loading…



