“Sanksionet ndaj Rusisë nuk do të kenë efekt të madh”
Presidenti Stevo Pendarovski thotë se nuk ka komunikim me ambasadorin e Rusisë në Shkup, por pasi RMV-ja iu është bashkangjit sanksioneve, pret masën reciproke ruse. Ai ka thënë se, sipas informatave të inteligjencës, ka pasur paralajmërime që para pesë muajve se presidenti rus, Vladimir Putin do të hyjë në Ukrainë. Ai, për “Utrinski Brifing” ka thënë se, nëse Putini pushton Ukrainën, pika më e ndjeshme në Ballkanin Perëndimor është Banja Luka.
“Nuk kam asnjë komunikim me ambasadorin rus, ndërsa me siguri nuk ka as Qeveria, por, me që si vend anëtare e NATO-s i jemi bashkangjitur sanksioneve, pres masë reciproke. Në pjesën politike po ashtu, pres masa sepse nuk kemi raporte të mira tashmë dy vite. Në lidhje me pasojat e sigurisë nëse Putin e merr Ukrainën, pika më e ndjeshme është Banja Luka. Është e dukshme se ka kanal të vazhdueshëm të komunikimeve mes Vladimir Putinit dhe Milorad Dodik”, u shpreh Presidenti Stevo Pendarovski.
Në lidhje me seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të NATO-s që u mbajt të Enjten, Pendarovski tha se në seancë është konkluduar se ka sulm ndaj gjithë territorit të një shteti sovran, ndërsa ajo është tentim serioz që të shkatërrohet arkitektura e sigurisë në Evropë.
“Konkludimi ishte një: Rusia është agresor. Në lidhje me sanksionet, ato janë kryesisht sanksione financiare dhe nuk besoj se do të kenë efekt më të madh. Një pjesë e madhe e operacioneve në Ukrainë financohen edhe me bitkoina, ndërsa ajo nuk mund të ndalet”, tha Presidenti Stevo Pendarovski.
Pas situatës së krijuar në Ukrainë, Pendarovski thirri seancë të Këshillit të Sigurisë, ku u konstatua se shteti është në gjendje stabile të sigurisë. Në këtë seancë u informua se shteti ka rezerva të mjaftueshme të mallrave dhe të derivateve.
Maqedonia e Veriut ka dënuar agresion rus ndaj Ukrainës, duke e cilësuar si kërcënim për paqen evropiane dhe botërore./ KlanMacedonia/



