Gjykatësit në Gjykatën Penale të Shkupit të cilët ishin ndër të rrallët që miratuan ndonjë prej kërkesave të Speciales, ose publikisht ankoheshin në punën e gjykatës janë zhvendosur në pozita të reja më të ulëta.
Ajo që bie në sy është gjykatësja Vesna Dimishkova e cila i kishte dhënë leje ekipit të Janevës për bastisje në DSK dhe në banesën e Kosta Kërpaçit. Në vend që të gjykoj lëndë në procedurë paraprake tani do të merret me lëndët e adoleshentëve.
Nga pozita gjykatës në procedurë paraprake është larguar edhe Slavica Andreevska e cila përcaktoi paraburgim për kryetarin e komunës së Manastirit Vladimir Talevski. Ajo tani do të gjykojë në njësinë penale për lëndë të vjetruara.
Është zhvendosur edhe gjykatësi Gjoko Ristov që kishte dhënë mendim për një kërkesë të speciales. Nga njësia e krimit të organizuar kalon në njësinë penale.
Pozita më të ulëta morën edhe gjykatësit Vasil Dinkovski dhe Sedat Rexhepagiq. Ata ishin pjesë e 15 gjykatësve që dorëzuan peticion në Këshillin Gjyqësor kundër punës së ish kryetarit të Gjykatës Vladimir Pançevski. Fat të ngjashëm kanë edhe “Rebelët e tjerë”.
Nga Gjykata Penale e Shkupit thonë se shpërndarja është e drejtë e kryetarit të Gjykatës, por dhe se nuk është e vërtetë se kriter ka qenë sjellja e gjykatësve ndaj Speciales apo kritikat e tyre publike. Por, në llogari të atyre që u larguan vijnë gjykatës tjerë. Për shembull gjykatësja Lidija Petrovska e cila gjykon lëndën e speciales kundër të punësuarve në Drejtorinë e kundërzbulimit është avancuar në pozitë për të gjykuar lëndët e krimit të organizuar. Përzgjedhja e saj për gjykatëse, u përmend edhe në bombat e opozitës, ku thuhet se ka blerë animin e ish shefes së Supremes Nedellkova me Svarovski. Në njësinë e njëjtë të krimit të organizuar me Petrovskën do të gjykojë edhe ish kryetari i gjykatës Vladimir Pançevski.
Nëse merret parasysh se pjesa më e madhe e lëndëve të Speciales janë të fushës së krimit të organizuar, kjo do të thotë se akuzat e reja të Katica Janevës do të shkojnë pikërisht tek Pançevski dhe Petrovska. Këta emra nuk e mbyllin listën e ndryshimeve në gjykatë. Me rëndësi për të përmendur është se gjykatës të ri me siguri do të ketë edhe për rastin mitmarrja kundër Zoran Zaevit. Gjykatës të ri ka edhe në njësinë që vendos shpesh mbi kërkesat e Speciales për paraburgim ose bastisje. Bëhet fjalë për Aleksandar Miloshevskin i cili ishte ndër gjykatësit që vendosi se “bombat” nuk mund të jenë dëshmi në gjykatë.