Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar sot më 2 dhjetor 2025 interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, lidhur me marrjen si të pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas kërkesës së firmosur nga kryetari i grupit, Gazment Bardhi, Kryeministri po “vepron si avokat i Ballukut, duke paraqitur pretendime në emër të Kuvendit të Shqipërisë, pa marrë asnjëherë një mandat apo qëndrim nga vetë Parlamenti”.
Opozita shprehet se veprimi i Ramës është i paprecedentë.
“Një kërkesë e tillë e Kryeministrit të Shqipërisë jo vetëm që është e pabazuar në Kushtetutë, por gjithashtu përbën një ndërhyrje të papërshtatshme në pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe synon cimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend”, thuhet në njoftim.
“Një kërkesë e tillë e Kryeministrit të Shqipërisë jo vetëm që është e pabazuar në Kushtetutë, por gjithashtu përbën një ndërhyrje të papërshtatshme në pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe synon cimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend”, thuhet në njoftim.
PD thekson se, në çdo vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për në BE, një ministër i marrë i pandehur për abuzime me fonde publike duhet të shkarkohej menjëherë dhe nuk mund të mbrohej nga Kryeministri.
Sipas njoftimit, veprimi i Ramës “ka vetëm efekte politike; më saktë është mjet presioni/mesazhi politik dhe nuk synon zgjidhje juridike.” Deputetët e opozitës argumentojnë se lëvizja e kryeministrit është një përpjekje “për t’i bërë presion drejtësisë dhe për të nxjerrë jashtë binarëve kushtetues Gjykatën Kushtetuese, e cila ekziston si garanci për kushtetutshmërinë dhe jo për pandëshkueshmërinë”.
Opozita nënvizon se kërkesa e Kryeministrit, “që synon të tregojë se e pandehura Balluku “nuk është si të gjithë të pandehurit e tjerë, por gëzon mbrojtje të posaçme politike/institucionale nga Kryeministri/Këshilli i Ministrave”, meriton vetëm përbuzje si një akt antidemokratik dhe antikushtetues, veçanërisht nga vetë organet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, që është përpara sprovës për të mbrojtur të drejtën për një hetim të plotë, të pacenueshëm dhe të papenguar”.


