Partia Demokratike, me anë të sekretares për marrëdhëniet me publikun Grida Duma, shpreh shqetësimin për gjendjen e rëndë ku ndodhet i gjithë rrethi i Hasit. Duma thekson se e gjithë zona është e izoluar dhe të gjitha rrugët janë të bllokuara.
Deklarata e plotë
Partia Demokratike shpreh shqetësimin për gjendjen e rëndë ku ndodhet i gjithë rrethi i Hasit.
Të dhënat tona tregojnë se prej dje, i gjithë rrethi është izoluar, të gjitha rrugët janë të bllokuara, dhe nga dje nuk ka drita, as ujë të pijshëm.
Raportohet se mungojnë absolutisht ndërhyrjet qeveritare dhe banorët e kanë të pamundur të komunikojnë apo të marrin ndihma. Ndërkohë, kësaj gjendje i shtohet edhe epidemia e gripit, dhe banorët e rrethit të Hasit e kanë të pamundur të marrin ndihmë shëndetësore.
Trashësia e dëborës shkon nga 50 centimetra, deri në 1 metër e gjysmë në shumë zona.
Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të ndërhyjë menjëherë dhe tu vijë në ndihmë banorëve të rrethit të Hasit.
Ne do të raportojmë sot në mënyrë periodike për situatën në zonat më të goditura nga moti i keq, me besimin se do tu vijmë në ndihmë banorëve.
6 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)