Partia Demokratike akuzon qeverinë Rama se është aleate e fortë e drogës dhe krimit. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj tha se në vend që të luftojnë aktivitetin kriminal të trafikantëve të drogës, Rama dhe Tahiri u krijojnë lehtësi atyre dhe këtë sipas tij e dëshmojnë më së miri sasitë e mëdha të drogës të sekuestruara në ditët e para të janarit.
Deklarata e plotë
Në 10 ditët e para të këtij vitit, rreth 4 ton e gjysmë drogë, kanë kaluar përmes kufinjve të Shqipërisë në drejtim të Italisë dhe Greqisë.
Në Otranto, Torre-Veneri, Napoli, Lece, Brindizi, kanë mbërritur rreth 4 tonë drogë në këto 10 ditë, të kapura e të sekuestruara nga policia italiane. Po ashtu, në Igumenicë, Selanik, Kostur, janë kapur rreth 500 kg droge, nga policia greke.
Afërsisht 4 tonë e gjysmë, në 10 ditë, vetëm sasia e kapur, e sekuestruar. Këto të dhëna tronditëse, dëshmojnë qartë se karteli qeveritar i drogës vazhdon pa ndalesë aktivitetin, dhe qeveria, Rama e Tahiri, i ofrojnë atyre rregullisht lehtësitë për ta transportuar brenda vendit, e për të kaluar kufinjtë tanë.
Këto të dhëna, dëshmojnë se droga mbetet edhe për këtë vit alternative e Edi Ramës, dhe angazhimi kryesor i Tahirit të tij. Koha ka ardhur për ta larguar këtë të keqe, e për të sjellë një qeveri që krijon mundësi për zhvillim e punë të ndershme.
12 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)