Javën e ardhshme Këshilli i prokurorëve do të shpallë konkurs për pasardhësin e Villma Ruskoskës, shefin e ri të Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zgjedhja do të bëhet më 31 tetor, ndërsa për herë të parë do të bëhet me Ligjin e ri, sipas të cilit 163 prokurorë publik do të kenë mundësi të votojnë për një nga kandidatët e paraqitur. Antonio Jolevski, kryetar i Këshillit të prokurorëve tha se ligji nuk parasheh pengesa nëse kundër ndonjë prokurori ka procedurë disiplinore.
Për momentin prokurorja Villma Ruskovska është e suspenduar për shkak të procedurës disiplinore që është iniciuar kundër saj, megjithatë ajo nuk do të konkurrojë më për shefe të Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar, por në muajin maj ka kandiduar për t’u bërë prokurore republikane.
Prokurori republikan, Lubomir Joveski tha se për procedurën disiplinore ndaj shefes së Prokurorisë për ndjekje të krimit dhe korrupsionit, Villma Ruskoska, duhet të sigurohen prova për të cilat duhet të prononcohen prokurorët që janë të përfshirë me këtë procedurë.
“Komisioni për përgjegjësi disiplinore e shqyrtoi propozimin për ngritjen e procedurës disiplinore dhe sa jam i njoftuar për këtë propozim, komisioni solli vendim për ngritjen e procedurës disiplinore. Për më tutje, e dini se gjatë procedurës duhet të sigurohen prova të caktuara dhe duhet të prononcohen prokurorët publikë për të cilët udhëhiqet një procedurë e tillë”, theksoi Lubomir Joveski, prokuror republikan.
Ndërkaq prokurorja Villma Ruskovska e ka marrë kërkesën për t’u përgjigjur para Komisionit disiplinor në afatin e paraparë prej pesë ditëve. Mandati si drejtuese e Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar i përfundon më 14 nëntor të këtij viti.


