Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, është paraqitur këtë të martë për herë të tretë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku qëndroi për rreth tre orë në pyetje nga prokurorët.
I pyetur nga gazetarët nëse është marrë nën hetim dhe për natyrën e çështjes, Myzyri, vartës i ministres Belinda Balluku, zgjodhi të mos japë asnjë koment, duke shmangur kontaktin me mediat edhe në dalje nga SPAK.
Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se Myzyri është marrë në pyetje në lidhje me hetimet për abuzime me tenderat publikë gjatë periudhës 2020–2023. Dyshimet janë të forta se një sërë procedurash tenderimi janë zhvilluar pa garë, me pjesëmarrje të vetëm një kompanie, ose me skualifikime të dyshimta të operatorëve të tjerë ekonomikë.
SPAK ka nisur hetimet pas një raporti alarmues të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili evidenton një dëm ekonomik në vlerën e 2.55 miliardë eurove, të shkaktuar nga abuzimet me fondet publike nëpërmjet tenderimeve të manipuluara.
Prokuroria ka sekuestruar tashmë një sërë procedurash dhe hetimet janë në zhvillim për të zbardhur përgjegjësitë konkrete dhe personat e përfshirë në këto praktika korruptive.