LSDM vazhdon të realizon konsultime me partitë shqiptare për përmbylljen e seancës konstituive të Kuvendit, formimin e trupave parlamentar si dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit. Pas takimit të djeshëm me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, ku si prioritet u caktua rivënia në funksion të institucioneve të vendit, veçanërisht Kuvendit, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev gjatë ditës së sotme ka takuar një delegacion të Lëvizjes Besa në krye me kryetarin e kësaj partie, Bilall Kasami, nënkryetarin Zeqirja Ibrahimi dhe kryetarin e RDK-së, Fadil Zendeli, shkruan Almakos.
Sipas Kasamit ky takim ishte në drejtim të konsultimeve për debllokimin e institucioneve me qëllim që Maqedonia të kthehet në procesin e integrimeve dhe vazhdimin e punës së institucioneve.
Ndërsa në një kumtesë me shkrim të lëshuar pas takimit, nga Lëvizja BESA njoftuan se kjo parti do të vazhdojë edhe më tej me rolin konstruktiv në debllokimin e institucioneve dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet vendi.
“Gjithashtu janë biseduar edhe modalitetet e mundshme për dalje nga kriza me të cilën po ballafaqohet vendi, për të kërkuar mundësi për funksionalizimin e institucioneve. Kontaktet ndërmjet partive do të vazhdojnë edhe ditët në vijim. Shfrytëzojmë rastin që edhe një herë të potencojmë se Lëvizja BESA edhe më tej do të luajë rol konstruktiv duke qenë pjesë e zgjidhjes e jo pjesë e problemit”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes BESA.
Ndërsa nga partia e Zoran Zaevit nuk caktuan një datë se kur pritet të thiret vazhdimi i mbledhjes konstituive, por thanë se kjo do të mësohet pasi të përfundojnë konsultimet me të gjitha partitë.
“Ju jeni dëshmitarë se gjatë kësaj jave në rjedhë janë konsultime me partitë politike që kanë dhënë nënshkrimet për ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re. Kur do të kemi situatë të qartë do të njoftojmë opinionin…E dini mbrëmë kishim takim me BDI-në, tani kemi me lëvizjen BESA. Duhet të dalim me konkluza të përbashkëta për të gjitha çështjet dhe lidhur me to ta njoftojmë opinionin për konkluzat”, ka deklaraur Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.
Shilegov edhe një herë i bëri thirrje presidentit Gjorgji Ivanov që të respektojë vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe t’i jep mandatin kreut të kësaj partie, Zoran Zaev.
Ai poashtu ka akuzuar presidentin Ivanov për udhëtimin e tij në Azerbejxhan, kështu duke lënë vendin pa udhëheqës pasi Kuvendi nuk ka kryetarë, ndërsa Qeveria është me mandat të kufizuar./Almakos