Avokati Arianit Koci ka reaguar sërish lidhur me arrestimin e ish-policit, Arbnor Spahiu në Serbi.
Koci përmes një reagimi në Facebook, ka deklaruar se terroristët që vranë policin Afrim Bunjaku janë të lirë në Serbi, dhe se po përndjek policët dhe ish policët e Kosovës.
“Radoiçiqi dhe terroristët tjerë që sulmuan në fshatin Banjska dhe vranë policin Afrim Bunjaku – të lirë në Serbi. Policët që e ndalën sulmin – në kërkim! Në vend që Serbia t’i arrestojë organizatorët e sulmit, po i përndjek policët dhe ish-policët e Kosovës. Po i godet njerëzit që e kanë ruajtur rendin juridik të Kosovës, dhe kanë shpëtuar jetë – të shqiptarëve dhe serbëve, nga aktivitetet terroriste. Siç po shihet, Serbia nuk po kërkon drejtësi. Po bën hakmarrje politike. Dhe këtë po e bën haptazi”, ka shkruar Koci.
Mes tjerash, ai thotë se arrestimi i ish policit Arbnor Spahiu është kidnapim politik.
“Rasti i fundit – ndalimi i qytetarit, ish-policit Arbnor Spahiu – nuk ka të bëjë fare me ndonjë procedurë ligjore. Është një kidnapim politik, i kryer nga një shtet që po sillet si armik. Nuk ka asnjë provë. Asnjë bazë ligjore. Ka vetëm një mesazh që po tentohet të dërgohet me forcë: Kush e mbron Kosovën – do të ndëshkohet”, vijon reagimi.
Avokati po ashtu ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës, duke thënë se nuk ka asnjë reagim serioz.
“Dhe si përgjigjet Kosova përballë kësaj? Me një deklaratë të vetme: “Shmangni kalimin nëpër Serbi.” Kaq. Asnjë masë konkrete. Asnjë reagim serioz. Asnjë sinjal që shteti i del në mbrojtje qytetarit të vet. Kjo nuk është mbrojtje. Nuk është diplomaci. Është nënshtrim institucional”, tha ai.
Tutje, ai ka pohuar se një shtet shtet ndalon qytetarët e tu pa bazë ligjore, e godet shtetësinë – bashkëpunimi ndalet.
“Pikë. Prandaj, duhet shqyrtuar pezullimi i menjëhershëm i: Linjave tokësore ; Komunikimit diplomatik; Marrëveshjeve teknike. Sepse nuk ka fqinjësi normale, kur policët që mbrojtën rendin – përndiqen, dhe terroristët – janë të lirë. Kur persekutohen shtetasit kosovarë”, pohoi Koci.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me intensifikimin e rasteve të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë.
Në këto rrethana, MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë ata që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që të shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë dhe në të njëjtën kohë, inkurajohen të gjithë qytetarët që të përdorin pika të tjera kufitare për kalimin e tyre.
“Rasti i fundit i ndalimit të ish-punonjësit të Policisë së Kosovës, Spahiu në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë është dëshmi e mëtejme e praktikave të papranueshme dhe destruktive të Serbisë, që bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet bazë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e tyre.