Rruga pas objektit të komunës së Gostivarit është asfaltuar tërësisht këtyre ditëve. Tashmë qytetarët do të mund të lëvizin më lirshëm dhe pa probleme sidomos banorët e kësaj zone të qytetit të Gostivarit. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, tha se bëhet fjalë për një rrugë mjaft të rëndësishme, e cila dukshëm do të përmirësojë qarkullimin e banorëve. Limani tha se prioritet mbetet infrastruktura rrugore dhe siguria në komunikacion. Krahas kësaj, ai ka përmendur edhe investimet në infrastrukturën nëntokësore.
“Është një rrugë në një gjatësi prej rreth 300 metrave, ku është punuar edhe në përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore, është rregulluar tërësisht rrjeti I kanalizimit atmosferik, dhe është asfaltuar me standardet më të mira. Rikonstruimi i rrugës besoj se do të përmirësojë dukshëm jetën dhe cilësinë e qytetarëve tanë në këtë pjesë të Gostivarit”, deklaroi Limani.
Ndërkaq, kjo rrugë është asfaltuar para 20 viteve dhe me kalimin e kohës dukshëm ishte dëmtuar. Kjo e kishte vështirësuar lëvizjen e lirë të banorëve që jetojnë në këtë lagje. Banorët dhe pronarët e bizneseve janë shprehur të kënaqur që në fund pas dy dekadave rregullohet kjo rrugë që do të hap perspektiva të reja për ata. “Ne kemi pritur 20 vite që të rregullohet, sepse atëherë kemi dhënë edhe prona që të zgjerohet rruga. Tash me asfaltimin e së njëjtës mendojmë se do të jetë edhe më mire sepse çdo rrugë që hapet është në të mirë të qytetarëve”, thotë një banorë i kësaj lagje.
Ai thotë se në ndërkohë janë duke u realizuar edhe projekte tjera të rëndësishme, duke përfshirë rrugën tek varrezat e vjetra myslimane, rrugën në Banjicë të Poshtme dhe rrugë të tjera që pritet të fillojnë të rikonstruohen në vijim pas përmirësimit të kushteve klimatike.
“Tashmë kanë filluar punimet në një rrugë në Banjicë të Poshtme, poashtu punohet edhe tek varrezat tjera të qytetit, javën tjetër pritet të fillojnë punimet edhe në bulevardin Vëllezërit Gjinovski, pra, me përmirësimin e kushteve atmosferike do të kemi më shumë në më shumë lokacione në territorin e Komunës së Gostivarit”, deklaroi Limani. Sipas tij, rruga pas Komunës së Gostivarit është ndërtuar me standard të reja e cila rrit jetëgjatësinë e rrugës pasi që shpesh herë rrugët edhe pse janë asfaltuar ata janë dëmtuar menjëherë.
Ndryshe, përmirësimi i kushteve klimatike ka bërë që të hapen shumë punë tjera në sferën e infrastrukturës. Komuna e Gostivarit ka bërë të ditur se kanë filluar punimet për vazhdimin e shëtitores rreth lumit Vardar nga të dyja anët me gjatësi prej 850 metra. Sipas Komunës së Gostivarit bashkë me vazhdimin e shëtitores, do të përfshihet edhe gjelbërimi me dru të rinj që do t`i jep pamje të re kësaj pjesë të qytetit rreth lumit Vardar.(koha.mk)


