15 Nëntor 2018 / 14:30
Pavarësisht se për më shumë se dhjetë muaj Enti Shtetëror i Revizionit është pa njeriun e parë dhe me numër të pamjaftueshëm revizorësh, Kuvendi e lavdëron për punën e tij shembullore. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, në tryezën për revizionin mbi financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhor shprehu pritshmëri që edhe institucionet e tjera të punojnë si Revizioni dhe të bashkëpunojnë me Kuvendin.
Enti Shtetëror i Revizionit është shembull shumë i mirë për institucion funksional dhe i pavarur, i cili punon vetëm në bazë të ligjeve dhe në dobi të qytetarëve dhe shoqërisë në tërësi. Duke i pasur parasysh hapat pozitiv që i bëmë në proceset e anëtarësimit tonë në NATO dhe BE, t’ju rikujtoj se programi i “skriningut” në Bruksel veç më ka filluar, apeloj që shembullin tuaj ta ndjekin edhe institucione tjera, nëse duam me të vërtetë afat të suksesshëm dhe relativisht optimal për anëtarësimin tonë në organizatat euroatlantike.” – tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit
Procedura për zgjedhjen e drejtorit të Revizionit ka ngecur në Kuvend, shkaku i përplasjeve pozitë-opozitë. Ai për momentin udhëhiqet vetëm nga zv/drejtori kurse revizorët të cilët janë në numër tejet të ulët nuk arrijnë të monitorojnë punën e të gjithë institucioneve. Ky organ është pothuajse plotësisht i papërfillshëm nga institucionet e tjera në vend. Raportet e tij vjetore kalojnë dhe miratohen në procedurë të zakonshme në Kuvend por raportet e veçanta për keqpërdorime të detyrës zyrtare nga të zgjedhurit e popullit dhe funksionarët e ekzekutivit nuk merren parasysh as nga ligjvënësi dhe as nga organet e drejtësisë. Në të kaluarën, Revizioni ka publikuar disa herë raporte për keqmenaxhim të parave të buxhetit, shpenzime të funksionarëve nëpër dreka dhe darka, tenderë të dyshimte, etj., por asnjë rast nuk është proceduar për t’u kërkuar përgjegjësi ligjore nga drejtuesit e institucioneve të etiketuara. Revizioni monitoron edhe menaxhimin e parave të buxhetit të ndara për partitë politike dhe shpenzimet në kohë fushate.
Ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar, duke folur për ndryshimet e fundit në ligjin për financimin e partive politike, theksoi se janë zbatuar disa nga kërkesat e ndërkombëtarëve për transparencë më të madhe nga partitë por mbetet akoma më shumë punë për t’u bërë. Ai kërkoi përgjegjësi për rastet ku vërtetohet keqpërdorim i pavare nga partitë politike në proceset zgjedhore.
Këto janë arritje të rëndësishme por përsëri tranparenca financiare, si demorkacia e brendshme e partive duhet të përmirësohet edhe më tej. Disa probleme janë identifikuar nga vazhguesit e OSBE/ODIHR gjatë fushatës së referendumit dhe kjo përfshin nevojën për kufizim të shpenzimeve dhe kërkesa të qarta për demaskim të procedurave të ODIHR-së dhe sanksioneve për financimin e fushatës së referendumit dhe duhet të bëhet reflektim nga partitë politike dhe palët e tjera të përfshira duhet të mbajnë përgjegjësi për organizimin e fushatës së referendumit.” – theksoi Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së
Ndryshimet e miratuara në korrik, pas takimit të liderëve, u mundësojnë partive politike që në vend të 1.8 milion eurove nga buxheti i shtetit të marrin 4.5 milion euro në vit. 30% e këtyre mjeteve do të shfrytëzohen nga partitë e vogla kurse 70% nga partitë që kanë këshilltarë dhe deputetë. Nga ana tjetër, është ulur sasia e mjeteve që një parti mund të marrë nga donator privat, si persona juridik edhe nga ata fizik. Partitë do të mund të financohen edhe me kredi dhe të posedojnë tokë. Me këto ndryshime, pretendohet që të ulen mundësitë e keqpërdorimit të donacioneve që merrnin partitë dhe do të shtohet kontrolli mbi mënyrën e shpenzimit të parave që marrin nga buxheti.
Lume Dervishi
Loading…


