Dita e katërt prej shpalljes të platformës së partive parlamentare shqiptare ndërsa VMRO DPMNE dhe LSDM vazhdojnë të heshtin. Në një kohë kur po bëhen kalkulimet dhe negociatat për Qeverinë e re, asnjëra nuk dëshiron që ta tregojë pozicionin e saj.
LSDM dhe VMRO DPMNE ditë më parë thanë se do të komentojnë kur të vijë koha, kur ta marrin dokumentin zyrtarisht nga partitë shqiptare, por tashmë kur kanë filluar të ecin afatet, asnjëra prej partive nuk tregon nëse janë ose jo të pranueshme kushtet e partive shqiptare për koalicionim.
Derisa dje ose pardje zëdhënësit e këtyre dy partive të paktën tregonin që ende nuk kanë formuar një qëndrim zyrtar, tani ata nuk përgjigjen fare në pyetjen se çfarë mendojnë për pikat kushtëzuese të partive parlamentare shqiptare.
Tani që presidenti ia ka dorëzuar Nikolla Gruevskit mandatin për formimin e Qeverisë, ai ka kohë prej 20 ditësh që të sigurojë 61 deputetë. Nëse nuk arrin në synimin e tij, mandati i kalon Zoran Zaevit si kryetar i partisë së dytë e cila ka më së shumti vota.
As LSDM e as VMRO DPMNE nuk kanë vota të mjaftueshme për formimin e Qeverisë nëse partitë shqiptare vendosin t’i bojkotojnë derisa nuk u pranohen kushtet shkruara në platformë.