Pritet që partia e Putinit do të ketë më pak ulëse në këshillin e qytetit të Moskës pas zgjedhjeve të së dielës. Kjo parti ka marrë më pak vota pas protestave të vazhdueshme kundër qeverisë ruse.
Partia “Rusia e Bashkuar”, e cila udhëhiqet nga presidenti rus, pritet t’i fitojë 26 ulëse në këshillin me 45 anëtarë. Kjo shifër do të ishte e mjaftueshme për ta ruajtur kontrollin e këtij institucioni, ndonëse më parë kishte më shumë ulëse.
Në zgjedhjet e kaluara, të mbajtura në vitin 2014, kjo parti i kishte fituar 28 ulëse në emër të vet dhe dhjetë të tjera përmes kandidatëve që i kishte mbështetur.
Disa anëtarë të “Rusisë së Bashkuar” morën pjesë në zgjedhje si kandidatë të pavarur në përpjekje për t’u distancuar nga partia me popullaritet të dëmtuar.
Ndryshe, Partia Komuniste i ka fituar 13 ulëse në Këshillin e Qytetit, tetë më shumë se në zgjedhjet e kaluara.
Organizata e pavarur “Golos”, e cila i monitoroi zgjedhjet lokale dhe rajonale të 8 shtatorit, i raportoi më shumë se 1700 shkelje të rregullave në tërë Rusinë. Sipas kësaj organizate, më shumë se 560 raste të tilla ndodhën në Moskë, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.




