Enti i Revizionit ka gjetur disa parregullsi në Komisionin e Letrave më Vlerë. Ndër gjetjet, sipas raportit të publikuar është edhe mungesa e dy të punësuarve, përkatësisht mos paraqitja e tyre në punë gjatë vitit 2023 dhe një periudhë të vitit 2024. Televizioni Alsat nga burime brenda Komisionit të Letrave me Vlerë ka mësuar ekskluzivisht se e punësuara që nuk është paraqitur në punë gjatë vitit 2023 dhe deri në qershor të vitit 2026 është bashkëshortja e ish ministrit të Financave, Fatmir Besimi. Identiteti i saj për redaksinë tonë është i njohur.
“Gjatë vitit 2023 janë konstatuar 31 të punësuar, ndërsa në dhjetor të vitit 2024 kanë rezultuar 29 të punësuar. Një person gjatë vitit 2023 për të cilin është lëshuar rrogë prej 1.119.000 denarë… Personi i njëjtë gjatë vitit 2023 deri në korrik të vitit 2024 ka munguar dhe më vet dëshirë ka dhënë dorëheqje nga puna më 29.07.2024. Për vitin 2024 është paguar 691 mijë denarë”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.
Parregullsi është konstatuar edhe te evidenca e të punësuarve dhe mënyra e përllogaritjes së kompensimit.
“Pagesa e pagës për një pjesë e të punësuarve bëhet për orar të pjesshëm pune dhe është zbatuar normë më e ulët gjatë përllogaritjes së kompensimit gjatë pengesës në punë (pushim mjekësor)”, thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Në Raport është konstatuar se janë realizuar shpenzime pa dokumentacion mbështetës dhe janë kryer prokurime të mallrave dhe shërbimeve pa zbatuar procedurë për prokurim publik, mbi pragun vlerësues të përcaktuar në mënyrë ligjore.
“Është evidentuar edhe nevoja për rregullimin me ligj të pagës dhe kompensimeve për personat e zgjedhur dhe të emëruar nga Kuvendi, kryetarin dhe anëtarët e Komisionit, nevoja që paga e të punësuarve në Komision të rregullohet me ligj ose me Marrëveshje Kolektive”, njoftojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Është evidentuar edhe nevoja për ndërmarrje të aktiviteteve për ndryshimin dhe plotësimin e rregullativës – akteve nënligjore, përmes së cilave do të sigurohet respektimi i plotë i parimit kontabël të “ndodhjes së modifikuar të ndryshimeve afariste, respektivisht transaksioneve”. /Alsat.mk