Në mbledhjen e parë të Kuvendit pas zgjedhjeve lokale, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi do t’i informojë të dërguarit e popullit se Çedomir Sazdovski do të funksionojë si deputet i pavarur. Pas zgjedhjeve lokale pritet që përbërja e Kuvendit të pësojë ndryshime të caktuara duke i pasur parasysh dorëheqjet e dy kandidatëve për kryetarë të komunave nga blloku shqiptar, por edhe zgjedhja e disa deputetëve nga shumica në pushtet për kryetarë të komunave.
Pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale do të dihet se sa deputetë të rinj do të ketë Kuvendi, por edhe numri dhe përbërja e grupeve të deputetëve duke i pasur parasysh se Sazdovski ishte pjesë e një nga dhjetë grupet e deputetëve nga koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE.
Deputeti Sazdovski dje e informoi kryetarin e Kuvendit Xhaferi se tashmë nuk do të jetë përfaqësues i GROM-it në Parlament, por do të jetë deputet i pavarur. Pas rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, ndërkaq, është e qartë se anëtarë të grupit të deputetëve të LSDM-së më nuk do të jenë Petre Shilegov, i cili u bë kryetar i Qytetit të Shkupit, Stefan Bogoev i cili fitoi në komunën e Karposhit, Sasho Pockov i cili është kryetar i ri i komunës së Gjevgjelisë dhe Maksim Dimitrievski, i cili është zgjedhur kryetar i komunës në Kumanovë.
Mes deputetëve të cilët do të kërkojnë votë për kryetar të komunave në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale janë edhe deputetët Betiane Kitev, Bllagoj Boçvarski dhe Kurto Dudush nga LSDM dhe Johan Tarçullovski nga VMRO-DPMNE. Dorëheqje në funksionet e deputetëve para zgjedhjeve dhanë edhe deputetët Bardhyl Dauti nga PDSH dhe Bilall Kasami nga BESA, të cilët kandiduan për kryetarë të komunave.