Parlamenti i Turqisë ratifikoi të enjten kërkesën e Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO, duke hequr pengesën e fundit në rrugën e përfshirjes së vendit nordik në aleancën ushtarake perëndimore.
Të gjithë 276 ligjvënësit e pranishëm votuan në favor të kërkesës së Helsinkit, disa ditë pasi parlamenti i Hungarisë miratoi gjithashtu pranimin e Finlandës në NATO.
“Kjo do ta bëjë të gjithë familjen e NATO-s më të fortë dhe më të sigurt”, shkroi Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, duke përshëndetur veprimin e Turqisë.
Të alarmuar nga agresioni rus në Ukrainë një vit më parë, Finlanda dhe Suedia braktisën politikën e tyre të neutralitetit dhe kërkuan anëtarësimin në NATO.
Anëtarësimi kërkon pajtim të njëzëshëm të 30 vendeve anëtare dhe Turqia dhe Hungaria janë dy vendet e fundit anëtare të NATO-s që ratifikuan pranimin e Finlandës.
Kërkesa e Suedisë për t’u bashkuar me aleancën, ka mbetur pezull, me Turqinë dhe Hungarinë që po zvarrisin pajtimin, pavarësisht se shprehin mbështetje për zgjerimin e NATO-s.
Qeveria e Turqisë akuzon Suedinë se është shumë e butë ndaj grupeve që i konsideron si organizata terroriste dhe kërcënimeve të sigurisë, përfshirë grupet militante kurde dhe personat e lidhur me një përpjekje për grusht shteti të vitit 2016.
Qeveria e Hungarisë pretendon se disa politikanë suedezë kanë bërë deklarata tallëse në lidhje me gjendjen e demokracisë hungareze dhe kanë luajtur një rol aktiv në sigurimin që miliarda fonde të Bashkimit Evropian të ngriheshin për shkak të shkeljeve të supozuara në fushën e sundimit të ligjit dhe demokracisë.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se mirëpret veprimin e Turqisë për Finlandën dhe e inkurajoi atë që të ratifikojë shpejt edhe anëtarësimin e Suedisë.
“Suedia dhe Finlanda janë partnere të forta dhe të afta që ndajnë vlerat e NATO-s, do të forcojnë Aleancën dhe do të kontribuojnë në sigurinë evropiane”, tha një zëdhënës i departamentit.
Kryeministrja finlandeze Sanna Marin, menjëherë pas votimit në parlamentin turk, tha se “Finlanda qëndron me Suedinë tani dhe në të ardhmen dhe mbështet kërkesën e saj”, për anëtarësim në NATO.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s shpresojnë që dy vendet nordike të bëhen anëtarë të aleancës në takimin e nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet më 11 korrik në Vilnius të Lituanisë.