Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të kontrolleve për evidentimin e parkimeve të parregullta që pengojnë qarkullimin normal të mjeteve dhe të qytetarëve, në qytetin e Kukësit, konstatuan 2 automjete të parkuara në mënyrë të parregullt, mbi trotuar, që kishin bllokuar rrugëkalimin për lëvizjen e përdoruesve të rrugës.
Menjëherë pas identifikimit të drejtuesve të automjeteve, shtetasve F. Gj., 32 vjeç dhe A. F., 36 vjeç, banues në Kukës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal ndaj tyre, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës apelon ndaj drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin çdo veprim që pengon lëvizjen e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve.
Parkimet e gabuara, veçanërisht në trotuare apo rrugëkalime, do të përballen me masa të menjëhershme penale dhe administrative.