Izraeli pritet të shtojë sulmet kundër Iranit si pasojë e vazhdimit të lëshimit të raketave, deklaroi ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz, duke paralajmëruar se Republika Islamike do të paguajë një “çmim të rëndë”.
“Pavarësisht paralajmërimeve, sulmet me raketa vazhdojnë, për rrjedhojë, goditjet e IDF në Iran do të intensifikohen dhe do të zgjerohen drejt objektivave të tjera në sektorë që ndihmojnë regjimin të zhvillojë dhe përdorë mjete ushtarake kundër civilëve izraelitë. Ata do të paguajnë një çmim të rëndë, gjithnjë e më të rëndë, për këtë krim lufte,” tha Katz në një video të publikuar nga zyra e tij.
Sipas Reuters, më shumë se 1,900 persona janë vrarë dhe të paktën 20,000 janë plagosur në Iran që nga fillimi i sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, deklaroi Maria Martinez nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) të premten, duke cituar të dhëna nga Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane.
Martinez theksoi se Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane vazhdon të jetë e vetmja organizatë humanitare kombëtare që operon në të gjithë vendin në kushtet e përshkallëzimit të konfliktit.
Ndërkohë, lideri i opozitës izraelite Yair Lapid paralajmëroi se lufta ka një kosto shumë të lartë për vendin.
“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit janë të shtrira në kufijtë maksimalë dhe përtej tyre. Qeveria po e lë ushtrinë të plagosur në fushën e betejës,” tha Lapid, duke përsëritur një paralajmërim të bërë një ditë më parë nga shefi ushtarak, gjeneral-lejtnant Eyal Zamir.
“Qeveria po e çon ushtrinë në një luftë në disa fronte pa strategji, pa mjetet e nevojshme dhe me shumë pak ushtarë,” shtoi ai.


