Mjetet e parapara nga Qeveria për mbrojtjen e ambientit jetësor, i cili kap shifrën prej 0,4% nga buxheti i përgjithshëm i shtetit, ka nxitur reagime të ashpra te disa shoqata joqeveritare, të cilat merren me probleme ekologjike.
Ata kritikojnë ashpër Qeverinë dhe kryeministrin Zaev, sepse, sipas tyre, shuma e ndarë nga buxheti për ndotjen e ajrit, flet qartë për joseriozitetin e qeverisë në luftën kundër ndotjes së ajrit. Aktivistët kërkojnë rritje të buxhetit në 2,5 për qind, në të kundërtën kërcënohen me protesta edhe më radikale.
“Buxheti i propozuar për 2018-ën, i cili po na provokon neve pasi që është vetëm 0,4% dedikuar mbrojtjes së ambientit jetësor. Duke pasur parasysh problemet që i kemi pas dekada me radhë dhe problemi sa vjen e zmadhohet ndërkaq zgjidhje nuk ka. Kërkojmë që të na marrin në konsideratë me qëllim që të fillojë të zgjidhet problemi. Qeveria përpara se të vinte në pushtet deklarohej si shumë e interesuar për ajër të pastër por ky buxhet kaq i vogël nuk flet për zgjidhje të problemit” – tha Tatjana Cakulev, Koalicioni O2 Për ajër të pastër.
“Konsideroj se problemi i ndotjes së ajrit në gjithë territorin e vendit po bëhet një fatkeqësi elementare dhe në këtë gjendje ai i cili është më kompetent nuk ndërmerr asgjë, neve nuk na mbetet asgjë tjetër përpos se të kalojmë në një instancë tjetër institucionale, ndërsa ajo quhet kërkesë dhe trokitje në dyert e gjykatave ndërkombëtare, sepse shteti ynë është nënshkruese e shumë marrëveshjeve dhe asgjë tjetër nuk na mbetet përpos këtij hapi dhe ndoshta paralelisht do të kemi edhe protesta më radikale dhe jo si ato që i kemi bërë deri më tash në mënyrë paqësore” – deklaroi Dushko Gruevski, Aktivist.
Përfaqësuesit e sektorit civil kërkuan nga kryeministri i vendit që të përmbush premtimet e dhëna para zgjedhjeve parlamentare sa i përket zgjidhjes së problemit me ajrin e ndotur. Ndryshe, vite me radhë Maqedonia përballet me nivel alarmant të ndotjes së ajrit. Situatë më e rëndë paraqitet gjatë stinës së dimrit ndërkaq qytetet më të ndotur në mënyrë permanente paraqiten Tetova, Kumanova, Manastiri, Kërcova, Velesi dhe shumë komuna të Shkupit.