Ish-ambasadori shqiptar në Vatikan, Zef Bushati ka folur për Papa Françeksun, të cilit iu dha sot lamtumira e fundit.
I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë ‘në News24, Bushati thekson se Papa Françesku i ka dhënë të gjithë njerëzimit nga personaliteti i tij.
“Keqardhje ndjen për çdo njeri të nivelit të Papa Françeskut. I ka dhënë gjithë njerëzimit. Vjen momenti që largohet nga kjo jetë, ndjen dhimbje.”
Më tej thotë se ishte dhe dëshira e gjithë shqiptarëve që sot të ishte një ditë zie në vendin tonë.
“Ishte dhe një dëshirë e gjerë tek shqiptarët që ti kushtonim një ditë zie. E nderoi popullin shqiptar me vizitën e tij. Edhe populli shqiptar ia ktheu me ditën e zisë.”
Papa Françesku do mbahet mend për thjeshtësinë e tij dhe mbështetjen ndaj emigrantëve dhe njerëzve në nevojë.
“Çdo papë ka dhe një mesazh, mision. Çdo Papë ka dëshirën të mbetet me diçka. Papa Gjon Pali nuk e pëlqente sistemin komunist, u përpoq ta hiqte këtë lloj sistemi. I atribuohet ndryshimi i sistemit komunist. Papa Benedikti donte të rikthente në Kishën Katolike rregullat. Papa Françesku erdhi krejt ndryshe, me një modesti. E ndjente trajtimin që i bëhej emigrantëve dhe mori krahun e tyre. Vinte nga mjedise të varfra. E shikonte se sa vuante njerëzit e varfër.”
Gjithashtu Papa Françesku do kujtohet dhe për goditjet ndaj industrisë së shitjes së armëve.
“Në marrëdhëniet ndërkombëtare pati një mesazh tjetër. Filloi të theksonte rëndësinë e madhe që ka paqja. Tha nëse do pushonte shit blerja e armëve atëherë bota brenda 1 viti nuk do e ndjente më varfërinë. Goditi industrinë e luftës. E kërkonte paqen. Kërkoi takim dhe me Putin.”
Ardhja e Papa Françeskut në Shqipëri në vitin 2014 ishte diçka e jashtëzakonshme, ku të gjithë shqiptarët dolën në rrugë nga të gjitha besimet për të parë nga afër Papën.
“Nxitja e Papës për të ardhur në Shqipëri ishte mesazhi që donte ti jepte shteteve të tjera. Pra bashkëjetesa fetare. Erdhi të dëshmojë të rrijë mes një populli ku janë të gjithë besimet fetare. Të gjithë donin të shikonin nga afër Papa Françesku. Shqipëria marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë e kemi të kahershme. Marrëdhënia jonë ka qenë e ngushtë. Unë ndonjëherë i thosha ndonjë kardinali, jemi të krishterë para jush, se Shën Pali erdhi këtu para jush. Ata qeshnin, po thonin.”